Trajneri i Sunderlandit, Régis Le Bris, ka thënë se lidhja e Granit Xhakës me klubin është më e fortë se kurrë më parë, duke theksuar se kapiteni dëshiron të ndërtojë “diçka edhe më të madhe” në edicionin e ri.
Transferimi i Xhakës te Sunderlandi, para 12 muajsh, doli të ishte një lëvizje e qëlluar për “Macet e Zeza”, pasi 33-vjeçari ka pasur rol të rëndësishëm jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
E ardhmja e Xhakës gjatë verës u vu në dyshim kur në skenë u shfaq Chelsea i Xabi Alonsos.
Megjithatë, Sunderlandi e bëri të qartë se kapiteni Xhaka nuk është në shitje dhe se mesfushori është i përkushtuar për të vazhduar punën me skuadrën.
Sipas klubit anglez, Xhaka është shumë i kënaqur me punën e stafit të trajnerëve dhe zyrtarëve të Sunderlandit.
Xhaka do ta udhëheqë sërish Sunderlandin në edicionin e ri, teksa skuadra e drejtuar nga Le Bris do ta nisë kampanjën në udhëtim ndaj Ipswich Townit, të shtunën nga ora 16:00.
Duke folur për të ardhmen e Xhakës, Le Bris tha se pas skenës nuk ka ndodhur asgjë e veçantë, por theksoi se vendimi i mesfushorit lidhet me besimin dhe lidhjen që ka krijuar me klubin.
“Prapa skenës nuk ka ndodhur asgjë por ka të bëj me besimin, sigurinë dhe lidhjen me klubin. Është e qartë se Graniti e do këtë klub, e do grupin dhe dëshiron të jetë pjesë e këtij rrugëtimi edhe për një sezon. Dhe ka qenë edhe një dritare e vogël gjatë Kupës së Botës për t’i menduar gjërat ndryshe, por ai u kthye dhe tha ‘ky është Sunderlandi, dua të kthehem, të qëndrojë dhe të arrijë gjëra edhe më të mëdha në sezonin e ri’”, ka deklaruar Le Bris të premten kur u pyet për Xhakën.

