Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është gjetur i plagosur me armë zjarri brenda dhomës së gjumit. Gruaja, vetëm 24 vjeçare, nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka ndërruar jetë disa orë më vonë në QKUK.
Sinjali mëson se viktima është J. B. 24-vjeçare, ndërsa si i dyshuar në rast po trajtohet bashkëshorti i saj, E. B. 25 vjeçar
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 23 gushtit, rreth orës 23:00.
Policia është njoftuar fillimisht për një plagosje me armë zjarri, ndërsa në Kërvasari janë nisur menjëherë patrullat policore dhe ekipi i Emergjencës së QKMF-së në Malishevë.
Kur ekipet kanë mbërritur në shtëpi, janë përballur me një skenë të rëndë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, E. dhe J. Bytyqi janë gjetur të plagosur nga arma e zjarrit në dhomën e gjumit.
Të dyve u është dhënë ndihma e parë dhe më pas janë nisur me urgjencë drejt QKUK-së në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën që dyshohet se është përdorur në rast.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, arma dyshohet se i përket babait të të dyshuarit, i cili ka deklaruar se e posedon me leje.
Rreth orës 01:10, nga Emergjenca e QKUK-së ka ardhur lajmi tragjik, J.B. kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në vendngjarje kanë dalë drejtues të Policisë, hetuesit e stacionit dhe ata rajonalë, ndërsa rastit i është bashkuar edhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë” dhe hetimet po vazhdojnë për të zbardhur në tërësi dinamikën dhe motivin e ngjarjes.
Sipas informacioneve të Sinjalit, familjarët kanë deklaruar se i dyshuari kishte punuar prej rreth katër vitesh në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë rreth një muaj më parë. Pretendimet e familjarëve lidhur me gjendjen e tij shëndetësore janë pjesë e informatave fillestare dhe mbeten për t’u verifikuar nga organet hetimore.
Ajo që nisi si raportim për dy persona të plagosur në një dhomë gjumi, vetëm pak orë më vonë u shndërrua në hetim për vrasje të rëndë, me një grua 24-vjeçare të vdekur dhe bashkëshortin e saj nën dyshime.

