Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika” brenda SHBA-së.
Urdhri e ngarkon sekretarin e Brendshëm, Doug Burgum, që brenda 30 ditësh ta përditësojë emrin në Sistemin amerikan të Informacionit për Emrat Gjeografikë. Ndryshimi nuk ka fuqi juridike në Kanada, e cila mund të vazhdojë ta përdorë emrin Liqeni Ontario.
Vendimi vjen në kohën e përshkallëzimit të tensioneve tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë dhe pas ndërprerjes së bisedimeve mes dy vendeve.
Trump kishte paralajmëruar më herët se po e shqyrtonte seriozisht ndryshimin e emrit, duke pretenduar se Uashingtoni nuk priste më të bashkëpunonte ngushtë me provincën kanadeze të Ontarios.
Ai publikoi gjithashtu një hartë në rrjetin e tij “Truth Social”, në të cilën emri “Liqeni Ontario” ishte zëvendësuar me “Liqeni Amerika”.
Liqeni shtrihet përgjatë kufirit ndërmjet shtetit amerikan të Nju Jorkut dhe provincës kanadeze të Ontarios. Rreth 47 për qind e sipërfaqes së tij ndodhet në territorin amerikan.
Ky është ndryshimi i radhës gjeografik i ndërmarrë nga Trumpi, pasi më herët urdhëroi që institucionet federale amerikane ta përdorin emërtimin “Gjiri i Amerikës” në vend të “Gjirit të Meksikës”.
Uashingtoni dhe Otava kanë vendosur tarifa të ndërsjella pas dështimit të negociatave tregtare, ndërsa Trump ka kërcënuar edhe me rritjen e tarifave për automjetet dhe kamionët kanadezë.

