
Autoritetet në Gjermani kanë nisur hetim për terrorizëm pas zbulimit të mjeteve shpërthyese në një nënstacion elektrik pranë një prej termocentraleve të mëdha të vendit.
Policia gjermane njoftoi të mërkurën se ka nisur një hetim për terrorizëm, pasi disa pajisje shpërthyese të improvizuara u gjetën një ditë më parë në nënstacionin elektrik të Preilack, në lindje të Gjermanisë.
Nënstacioni shpërndan energjinë e prodhuar nga termocentrali me qymyr Jänschwalde. Operatori i rrjetit, 50Hertz, tha se incidenti shkaktoi një ndërprerje të shkurtër të furnizimit, por të gjitha linjat tashmë janë rikthyer në funksion. Sipas policisë, nuk ka persona të lënduar.
Në të njëjtën kohë, autoritetet gjermane po hetojnë edhe një incident tjetër në një nënstacion elektrik në landin Nordrhein-Westfalen, ku disa kabllo pësuan ndërprerje të energjisë.
Policia dyshon se dëmtimi në nënstacionin në Bergheim, pranë Këlnit, mund të ketë qenë një akt i qëllimshëm sabotimi, transmeton Telegrafi.
Incidentet vijnë në një periudhë kur Gjermania është përballur me një seri rastesh të dyshimta që prekin infrastrukturën kritike, ndërsa shqetësimet për luftën hibride në Evropë janë rritur ndjeshëm.
Vetëm një ditë më parë, Berlini akuzoi publikisht Rusinë për një tentativë sulmi me dron në aeroportin Leipzig/Halle, muajin e kaluar.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi se vlerësimi i autoriteteve përputhet me modelin e njohur të operacioneve hibride ruse në Evropë.
Gjermania, një prej mbështetësve kryesorë evropianë të Ukrainës, ka akuzuar prej kohësh Moskën për zhvillimin e një fushate të luftës hibride, që përfshin spiunazh, sabotazh dhe aktivitete të tjera destabilizuese. Kremlini i ka mohuar këto akuza.
Për muaj me radhë, autoritetet gjermane kanë raportuar edhe fluturime të dyshimta me dronë mbi objekte ushtarake dhe industriale.
Por incidenti në aeroportin Leipzig/Halle, gjatë natës së 4-5 gushtit, ngriti alarmin në një nivel tjetër, pasi droni i gjetur në zonë dyshohet se kishte mjete shpërthyese.
Ndërkohë, në Bruksel po zhvillohen takime mes drejtuesve të Komisionit Evropian dhe NATO-s për shkak të një serie incidentesh të luftës hibride të raportuara në Evropë gjatë muajve të fundit.

