NATO është duke ndërmarrë një proces gradual për optimizimin e pozicionimit të forcave të KFOR-it në Kosovë, ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se ky proces do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë.
Për këtë çështje, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i është përgjigjur Telegrafit, duke theksuar se prioritet i Washingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.
“NATO aktualisht është duke ndërmarrë një optimizim të pozicionimit të forcave të misionit të KFOR-it. Procesi do të jetë gradual dhe i koordinuar ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në përgjigjen për Telegrafin.
Ambasada amerikane ka theksuar se gjatë këtij procesi do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
“Presim vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë gjatë gjithë procesit të optimizimit të pozicionimit të forcave të NATO-s”, thuhet në përgjigje.
Në deklaratën për Telegrafin, SHBA-ja e ka vënë theksin edhe te rëndësia e ruajtjes së stabilitetit në rajon.
“Shtetet e Bashkuara i japin përparësi ruajtjes së stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm që siguron siguri afatgjatë për të gjitha komunitetet”, ka thënë zëdhënësi.
Deklarata vjen në kohën kur KFOR-i ka njoftuar për ndryshime në pozicionimin e forcave të tij në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i ka bërë të qartë se vendimi për hapjen e urës për qarkullim nuk i takon këtij misioni, por Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.

