Telenews

Detaje nga aksidenti tragjik në Zvicër: 5 viktima, 40 të lënduar

Pesë persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin e rëndë me një autobus turistik holandez në Engadin të Graubündenit. Tre prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë. Autoritetet zvicerane po hetojnë rrethanat e sakta të aksidentit

Pas aksidentit të rëndë rrugor në kantonin Graubünden, autoritetet kanë dhënë detaje të reja për viktimat, të lënduarit dhe operacionin e gjerë të shpëtimit.

Autobusi turistik holandez po udhëtonte nga Zernez në drejtim të Suschit kur, në një zonë ku po zhvilloheshin punime, u përplas me një barrierë mbrojtëse, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në anë.

Policia Kantonale e Graubündenit e ka cilësuar rastin si vetaksident, ndërsa rrethanat që çuan në humbjen e kontrollit të autobusit janë ende duke u hetuar.

Pesë viktima dhe 40 të lënduar

Në autobus ndodheshin gjithsej 45 persona të rritur. Pesë prej tyre humbën jetën, ndërsa 40 të tjerë u lënduan.

Sipas autoriteteve, tre persona kanë pësuar lëndime të rënda, shtatë lëndime të shkallës së mesme dhe 30 lëndime të lehta.

Të gjithë të lënduarit u transportuan në spitale të ndryshme me ndihmën e shtatë helikopterëve të shpëtimit nga Rega, Alpine Air Ambulance dhe Heli Austria, si dhe nga 13 ekipe të ambulancave.

Identitetet e pesë personave që humbën jetën ende nuk janë bërë të ditura.

Operacion i madh shpëtimi

Pas aksidentit, në vendngjarje u mobilizuan një numër i madh i forcave të shpëtimit, përfshirë Rega-n, ekipet e ambulancave, zjarrfikësit dhe ekipe nga kantone të tjera.

Në zonë ishte gjithashtu një ekip i kujdesit psikologjik, ndërsa komuna e Zernezit organizoi një pikë grumbullimi për personat e përfshirë në aksident dhe siguroi ushqim e përkujdesje për ta. Në operacion morën pjesë edhe pjesëtarë të Shoqatës së Samaritanëve.

Autoritetet dhe ekipet e shpëtimit vazhduan punën gjatë mbrëmjes dhe gjatë natës. Autobusi u ngrit nga vendi i aksidentit herët të premten në mëngjes.

Përkohësisht, rruga në atë pjesë u mbyll për qarkullim. Ndërkohë, aksi Julierpass–Ofenpass–Münstertal drejt Tirolit të Jugut nuk u prek nga aksidenti.

Parmelin: “Jam thellësisht i tronditur”

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, ka shprehur tronditjen e tij pas aksidentit.

Në një reagim në platformën X, Parmelin tha se ishte “thellësisht i tronditur dhe i prekur” nga aksidenti tragjik me autobusin holandez në Graubünden.

Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe solidaritet me të gjithë të prekurit, ndërsa falënderoi ekipet e shumta të shpëtimit për punën e tyre.

Parmelin theksoi gjithashtu se autoritetet kompetente zvicerane do të sigurojnë një hetim të plotë për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit.

Reagim edhe nga Holanda

Edhe organizata holandeze e udhëtimit, e cila kishte organizuar udhëtimin, ka reaguar pas tragjedisë.

Në një deklaratë, ajo shprehu tronditjen për aksidentin dhe tha se mendimet e saj janë me të gjithë personat e prekur dhe familjarët e tyre.

Hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar. /Albinfo

Të ngajshme

Goditen 3 raste të prostitucionit në Tiranë, në pranga 4 persona

Yllka Gashi

“Ishte tekanjoz, kërkonte…” – Grimieri shqiptar tregon detaje nga bashkëpunimi me George Mazonakis: Ishte besimtar…

Yllka Gashi

Testohet bateria e “Volkswagen”-it ID.3, rezultatet janë të pabesueshme

Yllka Gashi