Kanali serb në Telegram, Koridor, ka publikuar në rrjetet sociale një video të një serbi, i cili pretendon se lufton në krah të forcave ruse në Ukrainë dhe që në mesazhin e tij kërcënon shqiptarët e Kosovës.
“Koridor” e ka shpërndarë videon me mbishkrimin “Vëlla çetnik, rrofsh”, ndërsa personi që shfaqet në të prezantohet si çetnik dhe u dërgon përshëndetje serbëve dhe rusëve.
Në video, ai bën thirrje për bashkim me Rusinë, ndërsa përdor gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj shqiptarëve dhe ukrainasve.
“Së shpejti ne fitojmë në Ukrainë, së shpejti e kthejmë Kosovën tonë, po vijmë së bashku me vëllezërit rusë. Mos u shqetësoni për asgjë, së shpejti po vijmë”, thotë ai.
Personi në video pretendon më tej se Kosova do t’i kthehet Serbisë, ndërsa u drejtohet shqiptarëve me termin fyes “arnautë”.
“Rusia do të jetë gjithçka, ndërsa Kosova do të mbetet Serbi. Mbajeni mend këtë, edhe ju arnautët atje që na e keni marrë”, dëgjohet duke thënë ai.
Gjatë videos, serbi djeg flamurin e Kosovës dhe atë të Ukrainës, ndërsa vazhdon me fyerje dhe kërcënime ndaj shqiptarëve dhe ukrainasve.
Ai i cilëson Kosovën dhe Ukrainën si “krijesa të sajuara” dhe pretendon se territoret e tyre u përkasin Serbisë dhe Rusisë.
“Krijesa të sajuara, edhe njëra edhe tjetra janë krijesa të sajuara. E gjithë kjo është Serbia ortodokse dhe Rusia ortodokse”, deklaron ai, derisa flamujt shihen duke u djegur.
Në fund të videos, i njëjti përsërit përshëndetjen si “vëllai juaj çetnik”.

