Granit Thaqi, i lindur në vitin 1994 në Burojë të Skenderajt, është një tjetër shembull i një rrugëtimi të ndërtuar përmes përkushtimit, arsimit dhe punës.
I rritur në vitet e luftës në Kosovë dhe në rrethana të vështira, Thaqi e nisi rrugëtimin e tij akademik me shumë sfida, por arriti të ndërtojë një karrierë të suksesshme në fushën e shkencave natyrore.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Klinë në vitin 2013. Më pas, vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës, ku përfundoi studimet Bachelor dhe Master në vitin 2018.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin e tij u shënua më 18 shtator, në Mynih të Gjermanisë. Në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), Granit Thaqi mbrojti me sukses doktoratën në drejtimin e Biologjisë Molekulare, duke marrë titullin Doktor i Shkencave të Natyrës.
Universiteti Teknik i Mynihut është një nga universitetet më të njohura në Evropë dhe botë, duke e bërë arritjen e Thaqit një sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e tij akademik.
Nga Buroja e Skenderajt drejt një prej qendrave më të rëndësishme akademike të Evropës, historia e Granit Thaqit dëshmon se përkushtimi, puna dhe arsimi mund të hapin rrugën drejt arritjeve të mëdha.

