Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të angazhimit të saj për promovimin e vlerave humane dhe përgjegjësisë shoqërore, organizoi aktivitetin për dhurimin vullnetar të gjakut nga personeli i saj, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ).
Personeli i BQK-së iu përgjigj kësaj nisme humanitare, duke shprehur solidaritet dhe gatishmëri për të kontribuar në një kauzë me rëndësi të drejtpërdrejtë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Me rastin e nisjes së aktivitetit, Guvernatori z. Ahmet Ismaili vlerësoi angazhimin vullnetar dhe solidaritetin e personelit të BQK-së, duke theksuar se, krahas profesionalizmit dhe përgjegjësisë në përmbushjen e mandatit institucional, solidariteti, integriteti dhe përgjegjësia ndaj komunitetit janë vlera që BQK synon t’i kultivojë brenda institucionit. Dhurimi vullnetar i gjakut është një akt i veçantë humanizmi, që e shndërron solidaritetin në kontribut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Kjo nismë reflekton dimensionin social të parimeve ESG të mishëruara në Planin Strategjik të BQK-së, duke promovuar solidaritetin, përgjegjësinë sociale dhe angazhimin vullnetar në dobi të komunitetit dhe shoqërisë.
BQK vlerëson bashkëpunimin me QKKTGJ-në dhe falënderon profesionistët shëndetësorë për organizimin dhe realizimin e këtij aktiviteti. Njëkohësisht, shpreh mirënjohje dhe respekt për të gjithë punonjësit shëndetësorë për përkushtimin, profesionalizmin dhe shërbimin e tyre të vazhdueshëm në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.
BQK falënderon gjithashtu personelin e saj për angazhimin e përditshëm profesional, si dhe kontributin vullnetar në këto nisma dhe mbetet e përkushtuar që, krahas përmbushjes së mandatit institucional, të kultivojë një kulturë organizative të bazuar në profesionalizëm, integritet, solidaritet dhe përgjegjësi ndaj komunitetit.
Dhuro gjak, shpëto jetë!Dhuro gjak, shpëto jetë!



