Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
Vendimi për shkarkimin e Isufajt është marrë me 6 vota për dhe 1 kundër.
Vendimi vjen një ditë pasi KPK zhvilloi diskutime lidhur me efikasitetin e Prokurorisë Speciale. Në mbledhjen e 1 tetorit, në KPK u diskutua një raport krahasues për efikasitetin e prokurorive në zgjidhjen e lëndëve për periudhën 2023–2025, ku Prokuroria Speciale u vlerësua ndër prokuroritë me efikasitetin më të ulët. Kjo nxiti edhe kundërshtime nga anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi.
Ky vendim është marrë në ditën kur Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte paralajmëruar KPK-në që të mos ndërmerrte vendime të ngutshme lidhur me pozitën e kryeprokurorit të PSRK-së.
IKD kishte bërë të ditur se KPK kishte thirrur takim të jashtëzakonshëm për sot, në orën 15:00, me pikë të rendit të ditës diskutimin për performancën e Kryeprokurorit të PSRK-së.
Instituti kishte theksuar se llogaridhënia nuk duhet të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta, veçanërisht duke pasur parasysh se PSRK-ja trajton raste që lidhen me krimin e organizuar dhe krimin transnacional, si dhe bashkëpunon me shtetet mike të Kosovës.
IKD kishte rikujtuar edhe rastin e Besim Kelmendit, duke i bërë thirrje KPK-së që ta marrë atë si mësim institucional. Sipas IKD-së, në fund të vitit 2025, KPK kishte shkarkuar Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes një procedure të shpejtë dhe të kontestuar, ndërsa në dhjetor të vitit 2025 Gjykata Supreme e kishte anuluar atë vendim si të kundërligjshëm.
“KPK duhet të marrë mësime nga rasti në fjalë dhe të shmangë përsëritjen e praktikave të vendimmarrjes së ngutshme”, kishte thënë IKD.
Instituti kishte kërkuar që çdo vendimmarrje që prek pozitën apo mandatin e një kryeprokurori të jetë në pajtim me Kushtetutën, ligjin dhe praktikën gjyqësore.
Po ashtu, IKD kishte kërkuar që vlerësimi i performancës së Kryeprokurorit të PSRK-së të jetë profesional, i drejtë, i paanshëm dhe objektiv, si dhe i bazuar në indikatorë të matshëm.
“Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
IKD kishte kërkuar nga KPK-ja që të sigurojë një proces të drejtë dhe të pavarur dhe të mos ndërmarrë veprime që do të cenonin sigurinë juridike, funksionalitetin e PSRK-së dhe besimin në KPK.
Isufaj ishte rizgjedhur në këtë pozitë më 11 dhjetor 2023, kur KPK-ja e kishte zgjedhur për një mandat të ri katërvjeçar me 9 vota për dhe 1 kundër. Mandati i tij i dytë kishte nisur më 1 janar 2024.

