Pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar Dren Pacën ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Paca do ta ushtrojë këtë detyrë pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e Isufajt, i cili u mor me gjashtë vota për dhe një kundër.
Vendimi për shkarkimin e Isufajt u mor sot, pas një takimi të jashtëzakonshëm të KPK-së, në të cilin u diskutua performanca e tij në krye të Prokurorisë Speciale.
Para mbledhjes, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte kërkuar nga KPK-ja që të mos merrte vendime të ngutshme dhe kishte bërë thirrje për një proces të drejtë, profesional dhe të pavarur.
IKD kishte theksuar se llogaridhënia nuk duhet të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalitetit të PSRK-së, e cila trajton raste të krimit të organizuar dhe krimit transnacional.
Instituti kishte rikujtuar edhe rastin e Besim Kelmendit, duke thënë se në fund të vitit 2025 KPK kishte marrë vendim për shkarkimin e tij nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa Gjykata Supreme e kishte anuluar atë vendim në dhjetor të të njëjtit vit.
IKD kishte kërkuar që çdo vendim që prek pozitën e një kryeprokurori të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe praktikën gjyqësore, ndërsa vlerësimi i performancës të jetë objektiv dhe i bazuar në indikatorë të matshëm.

