Telenews

BIDEN, CLINTON NDEROJNË ISH-SEKRETAREN E SHTETIT MADELEINE ALBRIGHT

Presidenti Joe Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton i bënë homazhe sot figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për nder të saj që po mbahet në Uashington.
“Në shekullin e 20 dhe 21 liria nuk kishte kampione (mbështetëse) më të madhe se Madeleine Albright”, tha presidenti Biden në homazhet për ish-sekretaren e Shtetit.
“Sot ne nderojmë një amerikane vërtet krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë. Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me presidentin e SHBA-së dhe Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore”, shtoi ai.
Albright, e cila shërbeu si sekretare e shtetit nga viti 1997 deri në 2001, vdiq muajin e kaluar nga kanceri. Pas vdekjes së saj, ajo u vlerësua nga shumë njerëz si një pioniere në karrierën e saj politike.
Albright dhe familja e saj u larguan nga nazistët në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike.
Shërbimi përkujtimor u mbajt sot në mesditë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Sipas një zëdhënësi të familjes Albright, më shumë se 1.400 njerëz ishin të pranishëm, duke përfshirë ministra të jashtëm, ambasadorë dhe anëtarë të Kongresit. Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Presidenti Biden, ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe tri vajzat e Albright mbajtën fjalime në funeralin për ish-sekretaren Albright. Ish-sekretarja e shtetit Condoleezza Rice lexoi disa vargje nga Bibla.
Ish-presidenti Barack Obama, ish-zonja e parë Michelle Obama dhe ish-nëndëspresidenti Al Gore morën pjesë në këtë ceremoni së bashku me zyrtarë aktualë të administratës, përfshirë sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Albright shërbeu në postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara nga viti 1993-1997 gjatë mandatit të parë të presidentit Clinton përpara se të bëhej sekretare e Shtetit dhe ishte një mbështetëse aktive e fushatave presidenciale të Hillary Clinton.
Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në luftërat e Ballkanit. Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.
Fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.
“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviq dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.
Kosovën e lirë dhe të pavarur Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj./VOA

Të ngajshme

Krasniqi: Mirëpresim ftesën e Presidentes, Vetëvendosje po mban peng institucionet

Valjeta Turkaj

Haradinaj: Do ta dëgjojmë presidenten, presim edhe vendimin e Kushtetueses

Valjeta Turkaj

Vonesa të autobusëve urban në Vranjevc qytetarët ankohen, përgjigjet mbeten të paqarta

Valjeta Turkaj