Sot filluan punimet e Kongresit të VIII të Mjekësisë, me temën “Promovimi dhe Edukimi Shëndetësor – Në 40-vjetorin e Kartës së Otavës: Së bashku për shëndet dhe mirëqenie”.
Gjatë këtij kongresi dyditor, i cili po mbahet në Hotel Emerald në Prishtinë, do të prezantohen mbi 130 punime shkencore nga ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë. Në fokus do të jenë çështje të rëndësishme të shëndetit publik, me theks të veçantë në promovimin dhe edukimin shëndetësor, si dhe në rolin e tyre në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Kongresi synon të krijojë një hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe të njohurive shkencore ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, si dhe të kontribuojë në avancimin e praktikave dhe politikave shëndetësore.
Temat që do të trajtohen janë me rëndësi të veçantë për komunitetin mjekësor, institucionet shëndetësore dhe publikun e gjerë, duke nxitur diskutimin mbi sfidat aktuale të shëndetit publik dhe mundësitë për ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme.

