Telenews

Kurti takon komandantin suprem të NATO-s në Evropë, flet për rritjen e kapaciteteve të FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë dhe njëherësh Komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, gjeneralin Alexus Grynkewich.

Në këtë takim, Grynkewich ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti ka theksuar se Kosova po vazhdon investimet në mbrojtje, trajnimet dhe blerjet, me synim rritjen e profesionalizmit ushtarak dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ka bërë të ditur se për katër vjet radhazi shpenzimet e Kosovës për mbrojtje kanë kaluar dy për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

“Për katër vjet me radhë shpenzimet tona për mbrojtje kalojnë 2% të Bruto Produktit Vendor”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në kuadër të FSK-së, duke bërë të ditur se javën e kaluar janë betuar 515 ushtarë të rinj, ndërsa këtë javë 209 rekrutë kanë nisur stërvitjen bazë.

Kurti ka theksuar se Kosova është përpara planit dhjetëvjeçar për zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe synon ta përmbushë atë para vitit 2028.

“Republika e Kosovës po vazhdon me trajnime e blerje, me synim rritjen profesionale ushtarake dhe ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Jemi përpara në planin dhjetëvjeçar dhe do ta përmbushim atë para vitit 2028”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit, Kurti ka shprehur vlerësimin për rolin e NATO-s në çlirimin e Kosovës, si dhe mirënjohjen për kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

Ai ka theksuar se Republika e Kosovës e çmon rolin e NATO-s për çlirimin e vendit dhe është falënderuese ndaj KFOR-it për kontributin në ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon.

Të ngajshme

Protestuesit fillojnë të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të dytën ditë me radhë

Rrezarta Ramaj

Policia del me njoftim për suspendimin e 11 zyrtarëve lidhur me rastin e Arlindës

Rrezarta Ramaj

LAJM I FUNDIT: Pritet të suspendohen 11 zyrtarë policorë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt në Pejë

Rrezarta Ramaj