Telenews

Aktakuzë ndaj tre ‘dilerëve’ në Prizren për shitblerje të rreth dy kilogramëve heroinë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.B., A.R., dhe B.(Sh) B., të cilët gjenden në paraburgim nga data 23.03.2026 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjithashtu, të pandehurit R.B., dhe B.(Sh) B., akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton IndeksOnline.

Sipas aktakuzës, të pandehurit R.B., A.R., dhe B.(Sh)B., duke vepruar në bashkëkryerje dhe si anëtarë të grupit, nga periudha e pavërtetuar e deri më 23 mars 2026, në fshatin Gjinoc, Komuna e Suharekës, janë marrë me shitjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të substancës narkotike të llojit heroinë. Për këtë qëllim, ata kanë komunikuar dhe koordinuar vazhdimisht veprimet e tyre, për sigurimin e personave për shitblerjen e narkotikëve.

“Gjatë veprimeve hetimore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, më 23 mars 2026, gjatë realizimit të një shitjeje të narkotikëve, policia ka ndaluar automjetin në të cilin, të pandehurit kishin fshehur dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë fillestare prej 1,017.25 gramësh. Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit R.B, është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi tjetër e dyshuar heroine, me peshë fillestare prej 806 gramësh”, thuhet në njoftim.

Sipas raportit të ekspertimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, dy sasitë e sekuestruara përmbajnë heroinë në përzierje me substanca të tjera, me peshë neto të përgjithshme prej 1,780.13 gramësh.

Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit B.(Sh)B., është gjetur dhe sekuestruar edhe substancë narkotike e llojit kanabis (marihuanë), me peshë neto prej 12.69 gramësh.

“Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, të akuzuarit R.B., dhe B.(Sh)B., akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. Gjatë kontrolleve në pronat e tyre janë sekuestruar, ndër të tjera, pesë armë zjarri, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie dhe një armë automatike, si dhe gjithsej 549 fishekë të kalibrave të ndryshëm”.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Gjithashtu, Prokuroria ka propozuar konfiskimin e përhershëm të pasurisë dhe sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar nga kryerja e veprave penale, duke përfshirë: dy automjete (Land Rover dhe Mercedes GLE), disa telefona mobil dhe pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur për komunikim dhe koordinimin e aktiviteteve, substancat narkotike të sekuestruara, armët dhe municioni, si dhe para të gatshme.

Prokuroria ka propozuar që automjetet të shiten përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), ndërsa të hyrat të derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës. Për narkotikët, armët, municionin dhe pajisjet e tjera është propozuar konfiskimi dhe shkatërrimi, sipas procedurave ligjore.

 

Të ngajshme

Verdikti i Hagës, Pacolli thirrje Kurtit: Lëni anash dallimet, bashkohuni në mbrojtje të së vërtetës

Rrezarta Ramaj

E vrau pas mosmarrëveshjes për pronë tri vjet më parë në Podujevë, dënohet me 24 vjet burgim

Rrezarta Ramaj

Gjykata në Mbretërinë e Bashkuar jep vendim lirues ndaj pjesëtarit të FSK-së

Rrezarta Ramaj
Lajmet po ngarkohen…