Megjithatë, juria konstatoi se vrasja e Hadrit ishte organizuar me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë, me ndihmën e një grupi kriminal nga Beogradi. Ajo nuk arriti të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm përfshirjen e Draškoviqit në këtë krim.

Drashkoviqi dyshohej se kishte marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e atentatit, si pjesë e një grupi komando që, sipas aktakuzës, ishte dërguar në Bruksel nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë për ta eliminuar Hadrin.

Kush ishte Enver Hadri?

Enver Hadri ishte aktivist politik shqiptar nga Kosova dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, i cili jetonte në Bruksel që nga viti 1972. Ai ishte angazhuar për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar lidhur me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb dhe autoritetet jugosllave.

Hadri u vra më 25 shkurt 1990, në komunën Saint-Gilles të Brukselit, në një atentat që, sipas gjetjeve të gjykatës, ishte organizuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë.

Reklamë

Në momentin e vrasjes, ai po udhëtonte me dokumentacion për shqiptarët e vrarë gjatë demonstratave paqësore në Kosovë. Sipas raportimeve të mediave kosovare, në mesin e dokumenteve ndodhej edhe një listë me emrat e 32 personave të vrarë nga forcat serbe.

Këtë listë Hadri planifikonte t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Evropian.

Lirimi i Drashkoviqit nga akuzat nuk e ndryshon konstatimin e jurisë se vrasja e aktivistit shqiptar ishte organizuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, por nënkupton se nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta lidhur atë personalisht me krimin.