Lionel Messi do të rikthehet në fushë për një mbrëmje të veçantë, pasi ka konfirmuar pjesëmarrjen në ndeshjen lamtumirëse të ish-bashkëlojtarit të tij te Kombëtarja e Argjentinës, Carlos Tevez.
Lajmi u bë i ditur të enjten dhe ka ngjallur entuziazëm te tifozët e futbollit, të cilët do të kenë mundësinë t’i shohin sërish dy legjendat argjentinase në të njëjtën fushë.
Messi ka vendosur të bëjë një përjashtim për mikun e tij dhe t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Tevezit për këtë ngjarje speciale.
Kjo pjesëmarrje vjen si një gjest respekti dhe miqësie ndaj ish-bashkëlojtarit, me të cilin ndau momente të rëndësishme gjatë kohës kur të dy përfaqësonin Argjentinën.
Ndeshja lamtumirëse e Carlos Tevezit është planifikuar të zhvillohet më 20 dhjetor në stadiumin “La Bombonera”, shtëpia e klubit Boca Juniors.
Pikërisht te ky klub Tevez u shndërrua në një prej emrave më të mëdhenj të futbollit argjentinas, përpara se të vazhdonte karrierën në Evropë dhe në skenën ndërkombëtare.

