Telenews

Ushtarakët serbë në Prishtinë, KFOR: Takim rutinor, kontribuon për sigurinë  në Kosovë e rajon

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR,   kanë folur lidhur me takimin e mbajtur në kampin Film City në Prishtinë me pjesëtarë nga forcat e armatosura të Serbisë në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Implementim (JIC).

Në përgjigjen e tij, KFOR-i ka sqaruar se takimi është pjesë e aktiviteteve të rregullta të Komisionit të Përbashkët për Implementim, të bazuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA).

“Është pjesë e aktiviteteve të realizuara nga Komisioni i Përbashkët për Implementim (JIC), bazuar në Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA). Këto marrëveshje afatgjata ofrojnë një kornizë të vendosur për ndërlidhje, komunikim, bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe nevojën për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Një zëdhnës i KFOR-it për Express ka theksuar se takimet e tilla janë të zakonshme dhe synojnë të sigurojnë komunikim të vazhdueshëm ndërmjet palëve.

“Takime të tilla janë rutinore. Ato kanë për qëllim sigurimin e informimit të ndërsjellë dhe komunikimit në kohë dhe në mënyrë efektive. Gjatë viteve, këto takime janë mbajtur në lokacione të ndryshme, përfshirë edhe në Shtabin e KFOR-it”, thuhet në përgjigje.

KFOR-i ka bërë të ditur se komunikimi i tij nuk kufizohet vetëm te Forcat e Armatosura të Serbisë, por përfshin edhe institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë, si dhe organizatat ndërkombëtare.

“KFOR-i mban komunikim të rregullt, transparent dhe të drejtpërdrejtë me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet në Kosovë, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare”, theksohet në njoftim.

Sipas KFOR-it, ky komunikim është i rëndësishëm për parandalimin e keqkuptimeve dhe shmangien e tensioneve të mundshme.

“Kjo është thelbësore për të parandaluar keqkuptimet dhe për të zvogëluar rreziqet e tensioneve, për të adresuar shqetësimet e mundshme të sigurisë dhe kontribuon në sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigje.

Në fund, KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon të përmbushë mandatin e tij, të përcaktuar me Rezolutën 1244 të vitit 1999, duke garantuar kontributin e tij në sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij, siç përcaktohet me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it./GazetaExpress

Të ngajshme

Ministria e Mjedisit refuzon projektin për lagjen “Ulpiana”

KushtrimGuraj

Dhjetë të lënduar pas aksidentit mes autobusit dhe kamionit në rrugën Pejë-Prishtinë

KushtrimGuraj

Sllovenia rikonfirmon mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës –

KushtrimGuraj
Lajmet po ngarkohen…