Telenews

Gjykata vendos për Qëndrim Januzin, të dyshuarin për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Qëndrim Januzit, i dyshuar për vrasjen e Gazmend Hysenit. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
Në një prononcim, kryeprokurori Jashari tha se Januzi po e mban paraburgimin në spital ku edhe është duke u trajtuar.
“Ju ka caktu masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, tha Jashari.
Avokati Kastriot Zenuni ka thënë se klienti i tij, Qëndrim Januzi, i cili është i dyshuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj, nuk e ka gjendjen shëndetësore shumë të mirë. Avokati Zenuni tha se seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Sipas mjekut ka qenë në gjendje me u përgjigj vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pytje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati Zenuni sot.
Ai shtoi se Qëndrim Januzi ka lëndime kryesisht në nofull.
Policia ka njoftuar se i dyshuari Qëndrim Januzi është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili në ato momente ishte me rroba civile.
“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raportin e policisë.
Policia njofton se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Të ngajshme

KFOR zhvillon ushtrim ushtarak pranë Obiliqit, në fokus ‘luftimet’ në mjedis urban

Yllka Gashi

Manxhuka reagon pas raportimeve për takimin e Kurtit me të dyshuarin për spiunazh

Yllka Gashi

Spiunazh në favor të BIA-s serbe, çka dihet deri tani për Fehim Sali?

Yllka Gashi