Telenews

Edhe Rexhep Selimi mbetet në paraburgim

Pas Jakup Krasniqit, në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të mbetet edhe Rexhep Selimi.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit ia ka refuzuar ankesën e trupit mbrojtës të Rexhep Selimit për lirimin nga paraburgimi.

Paneli i Gjykatës së Apelit ka vendosur që Selimit t’i refuzohet në tërësi ankesa dhe rrjedhimisht atij t’i vazhdohet paraburgimi.

Apeli në arsyetimin e tij ka theksuar se ekzistojnë sërish rreziqet e ikjes, ndikimit në dëshmitarë e shkatërrimin e provave, nëse Selimi mbrohet në liri.

Ndryshe Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i kryesuar nga Michele Picard, një ditë më parë kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, me anë të së cilës është bërë vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj tij.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

 

Të ngajshme

Ndotja e ajrit rrit rrezikun e tumoreve jo kancerogjene të trurit, zbulon studimi

Erzana Fazliu

Edicioni i pestë jubilar i Gala Night Rame Lahaj & Friends, më 2 gusht në Prishtinë

Valjeta Turkaj

Rama: Brenda vjeshtës do t’i hapim të gjithë kapitujt me BE-në

Valjeta Turkaj