Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka refuzuar takimin me Lumir Abdixhikun në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kësisoj, Lidhja Demokratike ka refuzuar ftesën e presidentit Begaj për takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës në një lokacion jashtë zyrave të LDK-së.
LDK-ja, në një përgjigje për Klan Kosovën, ka shprehur keqardhje për mosrealizimin e takimit mes Abdixhikut dhe presidentit Begaj, në vizitën e parë të shefit të shtetit shqiptar në Kosovë.
Siç thotë LDK-ja, refuzimi i Begajt të shkojë në zyrat e LDK-së është i pakuptueshëm.
”Për dallim nga krerët institucionalë paraprak të Shqipërisë, presidentët e shkuar, kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj. Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja ka thënë se “e ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”.