Haradinaj theksoi se marrëveshjet një nga një janë në interes të Serbisë, derisa shtoi se Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare, transmeton Klankosova.tv.
“Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën”.
“Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”.
Tutje, Haradinaj potencoi se dialogu duhet të kalojë në nivel tjetër dhe Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës.
“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njohë Republikën e Kosovës”.

