Gjenerali që urdhëroi masakrën në Srebrenicë dhe rrethimin e Sarajevës është i sëmurë rëndë, sipas djalit të tij.
Ratko Mlladiq, ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë serbe të Bosnjës, është shtruar në spital në Holandë. Kështu ka deklaruar djali i tij, Darko Mlladiq për mediat serbe.
Sipas Darko Mlladiq, ai vuan nga pneumonia, uji në mushkëri dhe sëmundje të zemrës, teksa ka bërë të ditur se shëndeti i babait të tij është përkeqësuar që nga muaji maj.
Të dielën, Ratko Mlladiq u transferua nga qelia e tij e burgut në qytetin holandez të Scheveningen në një spital, ku u shtrua për disa ditë.
“Ai është në një situatë të vështirë dhe më duket se është në rrezik jeta e tij. Babai nuk mund të lëvizë më dhe mundet vetëm të ulet ose të shtrihet”, thotë Darko Mlladiq për Novosti-n.
Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës e dënoi Mlladiqin në nëntor të vitit 2017 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte gjatë konfliktit në Ballkan. Krimet e tij përfshinin masakrën e Srebrenicës. Këtu, rreth 8,000 djem dhe burra boshnjakë u vranë brenda pak ditësh në korrik 1995.

