Dardanët luajnë ndaj Ukrainës në kuadër të xhiros së tretë të fazës “Main Round” për kualifikimet e Botërorit 2024.
Selektori, Arben Simitçiu ka folur sot para ndeshjes së rëndësishme për Telenews.al, duke besuar fuqishëm në fitore dhe vazhdim të ëndrrës botërore me ekipin e zemrës.
”Po , grumbullimin e kemi dhe jemi përgatitur shumë mirë gjerë në detajet më të vogla në lidhje me lojën e kundërshtarit. Dhe jemi maksimalisht të mobilizuar, por të shohim se ç’do të ndodh”.
Simitçiu në futsallin kosovar, vije nga një vend serioz si Republika Çeke, ai tregon se sa është i kënaqur me kushtet për punë në vendin tonë dhe me punën e lojtarëve.
”Falenderim i madh i takon kryetarit Ademit, FFK-së, si dhe të gjithë njerëzve të angazhuar rreth Kombëtares, sepse janë duke bërë maksimumin që ti kemi kushtet sa më të mira. Jam tepër i kënaqur me akomodimin, sallën ku ushtrojmë si dhe pjesën e përgatitjes taktike, bashkë me video analizat”, tregon trajneri i Kosovës.
Kosova në duelin e tretë kualifikues për Botëror, ndeshet me Ukrainën, Simitçiu thotë se kundërshtarin e kanë analizuar në detaje dhe presin një rezultat pozitiv.
”Ukrainën e kemi të analizuar gjerë në detajet më të imta që munden me ekzistu për lojë. Normal s’duhet të na befasojnë me asgjë, por poashtu krejt varet prej rrjedhës së lojës dhe koncentrimit tonë. Besoj dhe shpresoj që do të nxjerrim rezultat pozitiv”.
Në pjesën e pyetjeve për ekipet e futsallit kosovar, ai shpreh mendimin se sa ka ngritje të cilësisë në vitet e fundit.
”Personalisht, jam shumë i kënaqur që një grup i lojtarëve të Kombëtares (Dervishaj, Rukovci, Maxharraj, Kelmendi, Salihu, Kastrati, Murtezi), luajnë jashtë vendit në liga të ndryshme më kualitative, por edhe në Kosovë dalë ngadalë po vjen një gjeneratë e re e lojtarëve me ditëlindje 2000 e më tutje. Sivjet në Superligën e Kosovës ka ngritje, sepse përpos Liqenit dhe Prishtinës 01, ju kanë bashkangjitur edhe ekipe si Drenica etj”, thotë Simitiçiu.
Në fund, selektori aktual i Kosovës tregon nëse e ka në mendje rikthimin në futsallin kosovar dhe a do të mund të ndodhte kjo?
”Unë në vitin 2006 e kam udhëhequr, Feniksin e Drenasit gjatë pesë muajve, prek korrikut e deri në nëntor në kuadër të Ligës së Kampioëeve, ndjenjat kanë qenë shumë të mira. Për të ardhmen nuk di, sepse jam i lidhur me Kombëtaren e Kosovës, por si një ëndërr të parealizushme ende e kam në të ardhmen, udhëheqjen e një ekipi nga vendlindja, Prizreni”, përfundoi intervistën Simitçiu.
Të kujtojmë se selektori Simitçiu, jeton dhe vepron në Republikën e Çekisë, derisa ka prejardhje nga Komuna e Prizrenit.
/Telenews.al/

