Dhjetori nuk kishte si të përfundonte pa Festivalin e Këngës, ku marrin pjesë disa këngëtarë dhe prezantojnë krijimet e tyre muzikore dhe në fund, kënga fituese e përfaqëson Shqipërinë në Eurovision.
Në këtë festival, shpeshherë marrin pjesë emra të njohur të skenës dhe duke ditur bagazhin e tyre artistik, ata shihen edhe si pretenduesit kryesorë për të fituar çmimin e parë
Kjo retorikë, e ka përcjellë Festivalin e Këngës edhe këtë vit.
Që nga prezantimi i projekteve muzikore, u krijua një rivalitet me Albina Kelmendit dhe familjes së saj me këngën ‘Duje’ dhe Fifit me këngën ‘Stop’.
Madje, emrat tjerë s’po përmenden thuajse fare, duke parë plot sy e vesh, se a do fitojë Albina apo Fifi.
Për konkurrencën e theksuar mes Albina Kelmendit dhe Fifit, ka folur edhe redaktori i Telegrafit, Butrint Avdyli.
Në një bisedë të shkurtë, Butrinti tha se kënga e Fifit do ishte zgjedhje ideale e përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision, pasi është këngë etno shqip dhe një gërshetim interesant mes modernes dhe tradicionales.
“Që të dyja këngët janë pretendente mjaft të forta, por personalisht mendoj që Fifi do të ishte një zgjedhje më e duhur për në Eurovision. Më pëlqeu, sepse, melodia e këngës ishte etno shqip dhe e luajtur me instrumente puro tradicionale shqiptare – besoj se me një zhanër të tillë do të ishim më autentik si shtet në festivalin evropian. E vetmja vërejtje që kisha është teksti, ku mendoj se do duhej të punonte pak më shumë, por gjithsesi edhe ai pati vargje me zhargon aktual popullor, me çka ndërthur mjaft bukur tradicionalen me modernen. Ndërsa, te këngët e tjera pjesëmarrëse, fatkeqësisht mund të them se hasa edhe në elemente të rrymës sllave”, ka theksuar Avdyli.

