Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sidomos të atyre në rrjete sociale e rrugë. Burra të moshave të ndryshme ngacmojnë me fjalë e veprime të ndryshme të cilat krijojnë shqetësim te gjinia femërore, raporton Telenews.al.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Avdullah Babalija’ në Gjakovë, ku një grua derisa po priste autobusin është përballur me një situatë e cila e ka frikësuar dhe ka bërë që të kërkojë ndihmën e Policisë.
Një person i cili po lëvizte me një veturë me targa të Shqipërisë, dyshohet se e ka ngacmuar 31-vjeçaren me fjalë të ndryshme dhe të njëjtës i ka kërkuar që të hip në veturën e tij.
Si rezultat i denoncimit, 34-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.
/Telenews.al/

