Telenews

A mund ta synojë Kurti, Nobelin? Joseph: Mund të jetë kandidat nëse e çon draftin në Kushtetuese

 

 

Ngjarjet në mbarë botën e dinamikat gjeopolitike janë çështje që kryeministri i Kosovës i diskuton me shumë qejf. Kështu, Albin Kurtit i pëlqen të takohet e të flasë me njerëz të këtij rangu intelektual, njerëz që kanë fituar edhe Nobel. Edhe ai vetë mund të nominohej për këtë çmim prestigjioz, sipas profesorit Edward Joseph, nëse muajin e kaluar do ta bënte një lëvizje të rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës i është gëzuar së tepërmi një takimi që e pati të hënën në Stamboll me shkrimtarin Orhan Pamuk. Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, u tha se e ftoi Albin Kurtin për darkë dhe këtë shefi i qeverisë kosovare tha se nuk po e besonte.

Për nobelistin, Kurti tha se ishte shumë i interesuar për Kosovën dhe shqiptarët dhe se kjo e nderoi dhe e kënaqi aq sa nuk mund ta përshkruante.

“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkroi kryeministri në Facebook.

Ky takim e përmbylli një vizitë katërditore të Kurtit në Turqi, ku ai u prit të premten nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pushteti i të cilit e ka ndjekur edhe penalisht Orhan Pamukun për “fyerje të turqizmit”, dhe ai për pak sa nuk ishte burgosur në kohën e një fushate të pamëshirshme kundër shkrimtarëve atje.

Kurtit i pëlqen të flasë për sumë çështje edhe përtej problemeve të mëdha të shtetit të vogël që ai e udhëheq. Ky mund të ketë qenë rasti me Pamukun.

Turku shumë i vlerësuar nuk është nobelisti i vetëm që Kurti ka mundur ta takojë. Kryeministri duket shumë i interesuar për takime e diskutime me njerëz të këtij rangu intelektual.

Në maj të vitit të kaluar, Kurti e kishte takuar fituesin e Çmimit Nobel për Kimi në vitin 2011, Dan Shechtman në zyrën e tij në Prishtinë, kur ai po e zhvillonte një vizitë në Kosovë.

Izraeliti Schechtman i mbajti disa ligjërata në vend, ndërsa kur shkoi te Kurti, kryeministri i foli për “progresin demokratik, arritjet dhe prioritetet e qeverisë”.

Pak më herët, në mars të vitit 2023, Kurti kishte zhvilluar një takim virtual me fituesin e Çmimit Nobel për Ekonomi në vitin 2001, Joseph Stiglitz.

Nobelistit amerikan, Zyra e Kryeministrit njoftonte se Kurti i kishte për punën e qeverisë së tij, ndërsa kishin biseduar për “praktikat më të mira se si shteti mund të lehtësojë dhe kanalizojë investimet e diasporës që pastaj nxisin zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe hapin vende të reja të punës”. U tha se kishin folur edhe për “largimin pengesave me të cilat ballafaqohen bizneset private, duke vënë theksin te krijimi i mundësive për qasje në financa, diversifikimin e energjisë elektrike, dhe për modelet e suksesshme të përshtatjes së sistemit të arsimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Më vonë, në tetor 2023, Kurti u takua me Stiglitzin në Greqi, me të cilin tha se kishin diskutuar për “ecurinë e Kosovës si dhe ngjarje të ndryshme gjeopolitike në mbarë botën dhe ndikimet e tyre”.

Në Greqi, Kurti shkon zakonisht për Simpoziumin Symi. Atje duhet se ishte parë për herë të parë me Stiglitzin në vitin 2018, kur njoftonte në Facebook se nobelisti do të merrte pjesë atje.

“Prezantuesit dhe pjesëmarrësit janë liderë politikë, shkrimtarë e artistë të shquar dhe profesorë e akademikë të famshëm botërorë, si psh. laureati i çmimit Nobel për ekonomi, JosephStiglitz, dhe autori i biografisë voluminoze mbi John MaynardKeynes-in, Robert Skidelsky”, shkruante Kurti atëherë.

Kurti kishte takuar edhe emra të tjerë të njohur globalisht, si politologun amerikan, Francis Fukuyama në verën e vitit 2022 në tryezën vjetore të organizuar nga “The Economist”. Edhe atij, i kishte folur për “progresin demokratik dhe ekonomik në Kosovë si dhe zhvillimet e reja që ndërlidhen me dinamikat gjeopolitike pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë”. Kishin folur edhe për BE-në e NATO-n, si dhe marrëdhëniet e Kosovës me fqinjtë në Ballkan.

Kurti e kishte ftuar Fukuyaman që të vinte e ta vizitonte Kosovën, ndërsa ky, një muaj pas atij takimi kishte shkruar në “X” se Kurti “meriton mbështetje në konfrontimin e tij aktual me Serbinë”.

Në Paris, ai e kishte takuar në nëntor të vitit të kaluar edhe ekonomistin francez, Thomas Piketty.

“Diskutuam për Kosovën, ngjarjet botërore dhe rreziqet që e djathta ekstreme paraqet për barazinë demokratike dhe prosperitetin ekonomik”, shkruante Kurti në “X” pas atij takimi.

Ndërsa ndarja e çmimeve Nobel paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore, Kurti në disa paraqitje e potencon se një të tillë për Paqe e ka fituar edhe i dërguari i posaçëm i OKB-së atëherë, Marti Ahtisaari, sipas planit të së cilit Kosova u bë shtet.

Kurti e ka përmendur nganjëherë edhe se veprimtari Adem Demaçi, më 1994 ishte kandiduar për Çmimet Nobel për Letërsi dhe Paqe.

Në vitin 2019, kur Nobelin për Letërsi e fitoi Peter Handke, shkrimtari nga Austria që e mbronte Sllobodan Millosheviqin, Kurti ishte revoltuar dhe në një shkrim në Facebook kujtonte se si një çmim të tillë e kishte refuzuar francezi Jean-Paul Sartre.

“Sot, më 22 tetor, bëhen 55 vjet prej kur Jean-Paul Sartre e ka refuzuar çmimin Nobel për Letërsi. Thua se e ka ditur çka do të bëhet me këtë çmim në vitin 2019 kur ai iu nda Peter Handke-s. Sartre e ka refuzuar çmimin atëbotë sepse nuk ka dashur të transformohet nga vlerësimi prestigjioz, ndërkaq çmimi për Handke-n tashmë po e transformon vlerësimin e përgjithshëm për Nobelin për Letërsi”, shkruante Kurti.

Për Çmimin prestigjioz, kujtonte se “konsiderohet si stolia më e lartë në jetën e një shkrimtari, prestigjin nuk e ka fituar nga paratë që ndan, por pikërisht nga emrat e atyre që historikisht ka stolisur”

“Pra, lista e të vlerësuarve ia ka rritur vlerën çmimit. Por, cila është vlera që i jep çmimit Peter Handke, ky avokat i gjenocidit e mohues i dhimbjes e i traumës së popujve të tërë?”, shkruante Kurti.

A mund ta synojë Kurti vetë Nobelin? Joseph: Mund të jetë kandidat nëse e çon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington tha para pak dy javësh se kryeministri Albin Kurtiose presidentja Vjosa Osmani mund të jenë kandidatë potencialë për Çmimin Nobel për Paqe nëse lëvizin drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nëse Kurti ose Osmani do ta çonin në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e BE-së për Asociacionin, sipas tij, ata mund të nominoheshin për Nobel.

“Unë parashikoj që nëse kryeministri Kurti ose presidentja Osmani ecin përpara dhe e dorëzojnë draft-statutin e përkrahur nga BE-ja dhe bën një hap përpara, ata do të nominohen për Çmimin Nobel për Paqe”, tha Joseph në RTK.

Refuzimi nga ana e Kurtit për ta dërguar këtë draft-statut të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese muajin e kaluar tash po e mban Kosovën jashtë Këshillit të Europës. Ai shpresonte se një “letër e garancisë” se Asociacioni do të themelohej pas anëtarësimit, e më pas një përpjekje e fundit me një tjetër letër të dërguar në Strasburg se një draft-statutit i ri do të dërgohej në Gjykatë deri në fund të muajit, do të bënin që Kosova të futej në KiE. Por asnjë nga këto lëvizje s’e shmangu dështimin dhe çështja u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e kaluar.

Tash, kur është konfirmuar se një lëvizje e rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit është e pashmangshme për anëtarësim në KiE, Qeveria është e gatshme ta shkruajë një draft-statut me shpresën se deri në fund të vitit do të pranohet në organizatën më të vjetër politike ndërkombëtare në Europë.

source

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani