Telenews

AKB kërkon hetim për fushatat kundër produkteve vendore: Kush e sulmon “Made in Kosova”, po sulmon ekonominë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me, siç thotë, fushatat dhe deklaratat që dëmtojnë besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, duke kërkuar nga institucionet që të hetojnë çdo dyshim për veprime të organizuara kundër prodhimit “Made in Kosova”.

AKB vlerëson se kontrollet e produkteve ushqimore janë të domosdoshme, por kërkon që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë si për prodhuesit vendorë, ashtu edhe për produktet e importuara.

“Kush po e sulmon prodhuesin vendor? Kush po garanton se produktet e importuara kontrollohen me të njëjtin standard? Dhe pse konsumatori kosovar duhet të ketë më shumë siguri për një produkt që prodhohet në Kosovë se sa për një produkt që vjen nga jashtë?”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Sipas kësaj organizate, nuk duhet të ketë standarde të dyfishta në kontrollin e produkteve që dalin në treg.

“AKB nuk është kundër kontrolleve. Përkundrazi, kontrollet e rrepta janë të domosdoshme për çdo produkt që hyn në tregun e Kosovës. Por kontrolli duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, thekson AKB.

Organizata kërkon gjithashtu transparencë më të madhe nga institucionet, veçanërisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me kontrollet dhe analizat laboratorike.

AKB kërkon që të bëhet publike se cilat produkte janë kontrolluar, sa mostra janë marrë, cilat kanë qenë rezultatet laboratorike, cilat produkte kanë dalë jashtë standardeve dhe çfarë masash janë ndërmarrë. Po ashtu, kërkon të bëhen të ditura të dhënat për produktet e importuara që janë kontrolluar.

“Nuk mjafton të thuhet ‘kemi kontrolluar’. Duhet të publikohet çfarë është kontrolluar dhe çfarë kanë treguar analizat”, thuhet në reagim.

Në veçanti, AKB kërkon përgjigje institucionale edhe për shqetësimet e ngritura nga prodhuesit vendorë lidhur me përdorimin e qumështit pluhur dhe vajrave bimore. Sipas AKB-së, ka pretendime se disa lëndë të para të importuara lejohen në treg, ndërsa prodhuesve vendorë u vendosen kufizime për përdorimin e tyre në prodhimin e nënprodukteve të qumështit.

“Rregullat janë të njëjta, le të publikohen. Nëse nuk janë të njëjta, institucionet duhet të japin shpjegim”, thuhet në reagim.

AKB shpreh shqetësim edhe për pretendimet se mund të ketë interesa të caktuara tregtare që synojnë krijimin e mosbesimit ndaj produkteve “Made in Kosovo”. Megjithatë, organizata thekson se nuk po akuzon askënd pa prova.

“AKB nuk paragjykon dhe nuk akuzon askënd pa prova, por kërkon që çdo dyshim për fushata të organizuara, sponsorizuara apo të financuara për denigrimin e prodhimit vendor të verifikohet nga institucionet kompetente”, thuhet në reagim.

Sipas AKB-së, konkurrenca në treg duhet të zhvillohet mbi bazën e cilësisë, çmimit dhe standardeve, e jo përmes diskreditimit të prodhuesve vendorë.

“Mbrojtja e prodhimit vendor nuk është proteksionizëm – është interes ekonomik”, thekson AKB.

Organizata kërkon nga institucionet kontrolle të njëjta për produktet vendore dhe të importuara, publikimin e rezultateve laboratorike, dokumentimin e kontrolleve për produktet dhe lëndët e para të importuara, hetimin e çdo fushate të dyshimtë kundër “Made in Kosovo”, luftimin e konkurrencës së pandershme dhe mbështetje konkrete për prodhuesit vendorë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se dobësimi i prodhimit vendor rrit varësinë e Kosovës nga importi.

“Kosova nuk mund të bëhet shtet ekonomikisht i fuqishëm duke e dobësuar prodhimin e vet. Çdo fabrikë që mbyllet është një humbje për ekonominë. Çdo vend pune që humbet është një barrë më shumë për familjen dhe shtetin”, deklaroi Shahini.

Ai shtoi se marka “Made in Kosovo” duhet të trajtohet si pjesë e fuqisë ekonomike të vendit.

“‘Made in Kosovo’ nuk duhet të sulmohet, denigrohet apo përdoret si objekt fushatash – duhet të mbrohet, promovohet dhe të bëhet simbol i fuqisë ekonomike të Kosovës”, tha Shahini.

Të ngajshme

Komuna e Skenderajt vazhdon heqjen e shpenzimeve të varrimit për familjet

Yllka Gashi

“Koha për të thënë lamtumirë”, ylli i Chelseas konfirmon largimin – Blutë marrin mbi 30 milionë euro

Yllka Gashi

Reagon Përparim Rama: Vazhdoni të shpifni ndaj meje “Lule Gjela”

Yllka Gashi