Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se kanë zhvilluar aksion tek Drini i Bardhë, për mbrojtje të mjedisit dhe pasurive tona natyrore.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se gjatë këtij aksioni janë ndaluar e sekuestruar një numër i konsiderueshëm i mjeteve të përdorura që kanë degraduar shtratin lumor tek Drini i Bardhë.
‘Sërish te Drini i Bardhë, me synimin e njëjtë, për mbrojtje të mjedisit dhe pasurive tona natyrore. Nuk do të ketë aspak tolerancë për të gjithë ata që për këto vite kanë përfituar duke degraduar natyrën tonë të përbashkët” shkroi Aliu.
Ndërkaq nga Prokuroria Themelore e Gjakovës nëpërmes një komunikate njoftuan se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura në aktivitete e paligjshme do të vazhdojë deri në kapjen e të gjitha mjeteve dhe personave përgjegjës.
“Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e
dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bën thirrje qytetarëve
për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive” thuhet në njoftim.




