Telenews

Ambasada Gjermane: Futja e Kosovës në rend dite për anëtarësim në KiE varet edhe nga hapat për Asociacionin

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mblidhet me datat 16 dhe 17 maj. Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ambasada Gjermane në Prishtinë kanë thënë se Berlini zyrtar dëshiron ta shoh Kosovën në Këshill të Evropës, megjithatë potencojnë se vendimi final nëse anëtarësimi i Kosovës do të jetë në agjendë ose jo, do të merret pas një vlerësimi të plotë të veprimeve të Kosovës, përfshirë edhe hapat drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka bërë premtim për themelim

“Qeveria gjermane dëshiron ta shohë Kosovën në Këshillin e Evropës. Megjithatë, vendimi përfundimtar – nëse kjo pikë duhet të jetë në rend dite – do të merret pas një vlerësimi të plotë të veprimeve të Kosovës, duke përfshirë hapat e saj drejt krijimit të ASMM-së për të cilën Kosova është zotuar”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Böttcher.

Böttcher ka thënë se nuk i takon Gjermanisë të vendosë nëse aplikimi për anëtarësimi do të jetë në Agjendë të Komitetit të Ministrave apo jo.

“Nuk i takon Gjermanisë të vendosë nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave apo jo”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Kryeministri Albin Kurti ka biseduar në telefon me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, më 29 prill ku edhe kanë diskutuar konkretisht lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Kancelari gjerman në bisedë, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra për Media e Qeverisë Federale, ka theksuar rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Kosova ndërlidhur me aplikimin e Kosovës në KiE.

“Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë Federale.

Derisa kryeministri Albin Kurti pas telefonatës kishte deklaruar se pret përkrahje të Gjermanisë në përputhje me rekomandimet e bëra në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në një telefonatë me kancerlarin Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermani do të mbështesë kandidaturën tonë në Këshillin e Evropës në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në “X” më 29 prill

source

Të ngajshme

“Gangsteri i Prishtinës”, kush është Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës?

Kupchan: Përgatitja për themelimin e Asociacionit, vendim i rëndë për Kosovën

Serwer ngre pikëpyetje: Çfarë duhet bërë me Asociacionin?