Telenews

Ambasadori hungarez në Kroaci i del kundër Serbisë, ia kujton detyrimet në rrugën drejt BE-së dhe fqinjësinë e mirë

Gjatë presidencës së BE-së, Hungaria do t’i “rikujtojë” Serbisë se duhet të përmbushë standardet europiane në rrugën drejt anëtarësimit, e cila përfshin marrëdhënie të mira fqinjësore, tha sot ambasadori hungarez në Kroaci, Çaba Demçak.

Demçak mori pjesë në seancën e Komisionit parlamentar për Çështje Europiane, ku prezantoi prioritetet e Hungarisë për presidencën gjashtëmujore të BE-së, e cila filloi më 1 korrik, raporton Hina.

Deputeti i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet, Andro Krstulović Opara, e pyeti ambasadorin nëse gjatë asaj periudhe kryeministri hungarez Viktor Orban do ta përdorte miqësinë e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për t’i bindur ata që të jenë më të orientuar drejt Europës dhe më pak drejt eksportimit të “botës serbe” në rajon.

Ambasadori i Hungarisë, i cili është një mbështetës i madh i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, tha se gjatë Presidencës, Budapesti do të ketë më shumë mundësi për të biseduar me të gjitha vendet kandidate dhe për t’u kujtuar atyre detyrimet e tyre nëse synimi i tyre është integrimi europian.

“Atëherë ata duhet të përmbushin standardet europiane dhe kjo përfshin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sepse kjo është një nga vlerat themelore të BE-së”, tha ai.

Vendet e rajonit shpesh e akuzojnë Beogradin se po eksporton destabilitet në rajon, raporton medium kroat.

Rasti i fundit i tillë ishte votimi i rezolutës për Jasenovacin në Podgoricë, vendim i partive proserbe në Mal të Zi si përgjigje ndaj rezolutës për Srebrenicën në OKB. Elita politike kroate, por edhe politikanët malazezë, e vlerësuan si një përpjekje të Serbisë për të përkeqësuar marrëdhëniet midis Zagrebit dhe Podgoricës dhe rrugën europiane të Malit të Zi, vendit që është më afër anëtarësimit në BE.

Opara e pyeti gjithashtu ambasadorin për udhëtimet e fundit të Orban në Kiev, Moskë dhe Pekin.

Kryeministri hungarez ndodhet sot në Uashington për samitin e NATO-s.

Demçak tha se Budapesti po udhëheq një “lloji të ri diplomacie” që “hapet globalisht ndaj të gjithë faktorëve politikë”. Ai theksoi se çështjet e vështira nuk duhet të shmangen, por duhet të adresohen drejtpërdrejt dhe se për këtë arsye biseda nuk ka alternativë.

Të ngajshme

Tayna nesër publikon këngën e re, duet me reperin grek!

Erzana Fazliu

James Rodriguez po rikthehet në Evropë, i propozohet skuadrës italiane

Erzana Fazliu

Të hënën mbahet seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Erzana Fazliu