Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja ka thënë se do ta kundërshtojë fuqishëm propozimin për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Fondet Pensionale.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e ka vlerësuar “skandaloze dhe të abuzive” iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale.
Muja premtoi që do ta luftojë secilën iniciativë që synon “shkatërrimin e kursimeve të pleqërisë së qytetarëve të Kosovës”.
“Para dy javësh kam pasur takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në rast se diskutohet do të ishte skandaloze dhe e jashtëzakonshme. Propozime të tilla i konsideroj si abuzim”, tha ai.
“Nuk ka të drejtë asnjë deputet që ta vjedhë të ardhmen dhe kursimet e pleqërisë së qytetarëve. Do ta kundërshtoj fuqishëm këtë propozim, jo vetëm këtu por edhe në kuvend. Përpjekjen për të shkatërruar Trustin Pensional do ta parandaloj për aq sa kam numra dhe vullnet politik”, u shpreh Muja.
PDK-ja, AAK-ja dhe LDK-ja, tri partitë parlamentare opozitare, kanë shprehur mbështetje për iniciativën për tërheqjen e një pjese të mejteve nga Trusti.

