Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pas dështimit të bisedimeve për çështjen e presidentit.
Bajrami ka thënë se Kosova nuk është në krizë vetëm tani për presidentin, por sipas saj, shteti është në krizë që gjashtë vjet për shkak të, siç e ka cilësuar ajo, keqqeverisjes së Albin Kurtit.
“Albin Kurti nuk dëshiron të jetë Kryeministër, ai dëshiron të jetë UD.Kyeminister, ai dëshiron të sundoj jo të udhëheqë, të jetë i pari i shtetit por jo të marrë përgjegjësi për këtë vend e për qytetarët që jetojnë nga kriza në kirzë. Sot, ai tentoi një tjetër lojë politike: katër ministri dhe një zëvendëskryeministër për LDK-në, por me një kusht që presidenti të mbetet në duart e tij. Kjo nuk është ofertë – është presion.”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk është zgjidhje, por është një tjetër përpjekje për të imponuar vullnetin e një njeriu mbi atë të qytetarëve.
“Ajo që ju ofrua sot LDK-së nuk ishte kompromis – ishte shantazh i paketuar si zgjidhje. Ta themi qartë: oferta e Albinit nuk ishtë për të dalë nga nga kriza, por për ta kontrolluar atë.”, ka thënë Bajrami.
Deputeja Bajrami ka numëruar krizat që sipas saj po përballet vendi, duke kritikuar Kurtin se po merret me skenarë e pazare, si dhe fajtorin.
“Mos u befasoni, nëse në minutat e fundit të afatit kushtetues të na paraqitet një tjetër ‘zgjidhje’, e ashtuquajtur ‘konsensuale’, sepse modeli është i njëjtë: krijo krizën, pastaj ofro zgjidhjen që të shërben ty. Kjo nuk është qeverisje – kjo është mënyrë për të sunduar, por nuk duhet të jetë befasi sepse Albin Kurti, që nga dita e parë, ka funksionuar përmes mashtrimit, gënjeshtrës dhe manipulimit që nga xhipat e zinj e të bardhë, te flamuri lara-lara, te bashkimi kombëtar që nuk ndodhi kurrë, e deri te premtimet për heqjen e TVSH-së për miell, sheqer e vaj. Qytetarët duhet përfundimisht të kërkojnë llogari për këtë që po ndodhë.”, ka shkruar Bajrami.

