Telenews

BE-ja kritikon vendimin për prokurorët serbë: Kërkon riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë pas dekretit të ushtrueses së detyrës së presidentes për shkarkimin e prokurorëve nga komuniteti serb dhe vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të mos pranuar tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

Në një reagim për media, zëdhënësja e BE-së ka deklaruar se këto veprime “duken të papajtueshme me ligjin, procesin e rregullt ligjor dhe parimet e sundimit të ligjit”.

Brukseli ka mirëpritur vendimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb për të tërhequr dorëheqjet e tyre, duke rikujtuar se vazhdimisht ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mundësojnë riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Sipas BE-së, ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Bashkimi Evropian ka theksuar se Kosova, sipas Kushtetutës së saj, është një shoqëri shumetnike dhe se sistemi i drejtësisë duhet të reflektojë diversitetin e saj etnik, duke respektuar parimet e sundimit të ligjit.

Të ngajshme

Ambasada e SHBA-së ka një njoftim për aplikantët për vizë

Yllka Gashi

Murati takohet me një homologun në SHBA, dakordohen për vazhdim të bashkëpunimit!

Yllka Gashi

18-vjeçari nga Kosova dënohet me 9 vjet burgim në Gjermani, tentoi ta vriste mësuesen

Rrezarta Ramaj