Telenews

Bislimi e cilëson të dështuar takimin për dinarin në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi ka deklaruar se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Sipas tij, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët, përveç nëse ato do të tregoheshin konstruktive.

“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, ka deklaruar Bislimi për gazetarë pas takimit, raporton REL.

Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por se “Prishtina i refuzoi të gjitha”.

“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, ka deklaruar Petkoviq.

Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.

Në Bruksel është zhvilluar takimi trepalësh në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Rundi i ri i bisedimeve është edhe një përpjekje që palët të gjejnë zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Takimi i 15 majit është takimi i shtatë në nivel të kryenegociatorëve për çështjen e dinarit serb, pasi në gjashtë takimet paraprake ata nuk arritën pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u shpreh se pret që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.

Diskutimet për dinarin vazhdojnë edhe pas katër orësh të takimit trepalësh në Bruksel

source

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani