Telenews

Blakaj: Institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për dokumentimin e krimeve të luftës

Institucionet e Kosovës po fajësohen se nuk kanë bërë mjaftueshëm për dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë për Ekonomia Online, se si pasojë e kësaj, shumë prova mund të jenë zhdukur përgjithmonë dhe ato nuk do të gjinden më.

Sipas tij, fatkeqësisht edhe më e dhimbshme është se barra e dëshmisë së krimeve të luftës mbetet tek dëshmitarët tek njerëzit që kanë mbijetuar e që fatkeqësisht shumë prej tyre kanë ndërruar jetë.

“Deri më tani institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm në dokumentimin e krimeve të luftës. Një kohë të gjatë nuk ka pasur asnjë institucion i cili është marrë me këtë çështje. Nga viti 2012 ka qenë një Institut për hulumtimin e krimeve të luftës, mirëpo ai nuk ka qenë i përkrahur mjaftueshëm, nuk ka qenë i fuqizuar, nuk ka pasur edhe resurse të mjaftueshme ta kryej këtë punë, sepse puna e dokumentimit është jashtëzakonisht e madhe dhe duhet të ketë resurse materiale. Pastaj është mbyllur ai institut dhe tek tani pra në fund të vitit të kaluar është themeluar Instituti i ri. Ne po shpresojmë që ky institut, megjithatë do të ketë sukses në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës edhe pse 25 vite pas përfundimit të luftës shumë prova mund të jenë zhdukur përgjithmonë dhe ato asnjëherë nuk do të gjinden ”, ka thënë Blakaj për Ekonomia Online.

Blakaj thotë se koha e kaluar do të ndikojë që krimet e luftës të mos dokumentohen në mënyrën e duhur.

“25 vite pas luftës, shumë prova materiale dokumentacioni janë zhdukur, kanë përfunduar nëpër arkiva private, mund të jenë zhdukur qëllimisht nga ata që kanë qenë të përfshirë në krim. Nuk mund të bëhet fjalë që pas 25 viteve për me gjetë prova forenzike, pra edhe ato janë zhdukur. Tashmë barra e dëshmisë së krimeve të luftës mbetet tek dëshmitarët tek njerëzit që kanë mbijetuar që janë dëshmitarë okularë dhe për fat të keq edhe shumë prej tyre kanë ndërruar jetë dhe kujtesa e tyre 25 vite pas kryerjes së krimeve është zbehur”, ka thënë Blakaj.

Teksa flet për të pagjeturit, Blakaj thotë se i tërë procesi ka qenë i ndikuar politikisht, prandaj vazhdon të jetë i lartë numri i personave të pagjetur edhe 25 vite pas përfundimit të luftës.

“Nëse i pyesim institucionet që janë marrë me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur ata do të thonë se është bërë një punë e mirë sepse në maj të vitit 2000 kur është publikuar lista e parë për të zhdukurit ajo listë i ka pasur mbi 4500 emra ndërsa sot janë 1600 pra po ka pasur identifikime të shumta mirëpo ne nuk mund të jemi të kënaqur përderisa edhe 1600 persona janë të zhdukur sot. Procesi i zbulimit apo i gjurmimit të personave të zhdukur është ngadalësuar me kalimin e viteve. Pra secilin vit kemi më pak zbulime më pak gjetje të varrezave qofshin individuale apo masive dhe ky proces ka stagnuar…Ky proces ka qenë që nga fillimi i ndikuar politikisht edhe pse palët shumë shpesh kanë thënë dhe janë zotuar që këtë çështje e trajtojnë si çështje humanitare dhe jo si çështje politike, megjithatë është e qartë që është trajtuar si çështje politike”, ka theksuar Blakaj.

Megjithatë, Blakaj shpreh frikën se edhe pas dakordimit të kryeministrit Albin Kurti e presidentit, Aleksandar Vuçiq, për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur, nuk do të ketë rezultate, meqë edhe pse ka kaluar një vit, nga Serbia ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim./EO

source

Të ngajshme

Kurti uron kryeministrin Mickoski për pozitën e re: Mezi pres t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale me Maqedoninë e Veriut

Donat Hashani

Deklarata brilante e Daliqit për futbollistin e tij: “Këtij lojtari i kërkoj falje, e meriton”

Donat Hashani

Lajçak për Draftin e Asociacionit: Nuk do të propozoja kurrë diçka që nuk do ta propozoja për vendin tim

Donat Hashani