Shpeshherë lindin pakënaqësi brenda ekipeve kombëtare për shkak të listave të futbollistëve, të ftuarve dhe minutave që u japin atyre.
Problemet e kësaj natyre shfaqen sidomos te kombëtaret më të vogla të futbollit, e sidomos në turne madhor si Kampionati Evropian, ku ekipet rrezikojnë të luajnë vetlm tri ndeshje në grup.
Pakënaqësi janë shfaqur edhe në kombëtaren shqiptare të hënën pas eliminimit të kuqezinjve nga ky Evropian.
Një reagim të ashpër e lëshoi mbrëmë babai i mbrojtësit të kombëtares, Ardian Ismajli. Ai hodhi akuza për tradhti pasi mbrojtësi i Empolit nuk e luajti asnjë minutë në Kampionatin Evropian, ndonëse paraprakisht ishte paraqitur në gjashtë nga tetë ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë.
E një shembull të paparë të një lojtari që nuk luajti asnjë minutë në Euro 2024 dhe marrëdhënies e përgjegjësisë kombëtare e ka dhënë mbrojtësi kroat, Domagoj Vida, si dhe trajneri i kombëtares kroate, Zllatko Daliq.
Daliq, pas barazimit trishtues të Kroacisë që i humbi dy pikë për shkak të një goli të Mattia Zaccagnit të Italisë për barazimin 1-1, e lavdëroi Vidan dhe i kërkoi falje – ndonëse tha se nuk ka pse t’i kërkoi falje ndokujt nga futbollistët.
Por, tha se ai e meriton për shkak të sjelljes së tij në ekipin kombëtar.
“Janë 24 lojtarë, jo të gjithë mund të luajnë. Sot do të kem një takim me lojtarët, do t’i falënderoj të gjithë për drejtësinë dhe durimin. Ata janë aty, ishin shumë korrektë, faleminderit për këtë muaj disipline, rregulli dhe korrektësie. Falënderimet dhe faljet më të mëdha shkojnë për Domagoj Vidan. Ai është me ne, nuk ka luajtur asnjë minutë, dhe ky është një njeri gjigant i futbollit kroat. Legjendë. Unë do t’i kërkoj vërtet falje, megjithëse normalisht nuk i kërkoj falje askujt, por ai e meriton. Ai nuk shfaqi ndonjë pakënaqësi dhe e di që është e vështirë për të. Ai e meriton faljen, lavdërimet dhe falënderimet e mia. Edhe pse nuk kam nevojë t’i kërkoj falje askujt, po”, tha Daliq.
Domagoj Vida ishte shtylla e mbrojtjes së Kroacisë në dekadën e fundit dhe numëron mbi 100 paraqitje me ‘Zjarrin’. Ish-mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit, Leverkusenit dhe Beshiktashit, tashmë në moshën 35-vjeçare, luan në kampionatin grek të futbollit me AEK-un e Athinës.