Uji po del nga gypi, por nuk është nga ujësjellësi.
Tash e një muaj, Vehbi Bytyçi nga fshati Shashkovc, thotë së në çezmën e tij, nuk erdhi as një pikë ujë nga ujësjellësi.
Për këtë, ai edhe familja e tij po furnizohen me ujë nga bunari në oborrin e shtëpisë, ani pse nuk është i pijshëm shkaku se gjendet në hapësirat afër minierës së “Artanës”.
“E ka nal ujin edhe nuk i intereson, ai për veti ka ujë, në ditë të sotit se me kanë dimrit banorët janë mësu edhe me shkri borën por tash nuk e di qysh e feston Bajramin ai që është përgjegjës për këtë”, ka thënë ai.
Me gjendje të njëjtë, janë edhe banorët e tjerë të këtij fshati.
Madje Ibush Bytyçi, thotë se mungesën e ujit po e vuajnë edhe kafshët.
“E kemi një bunar menxi po del ujë, ku po mundemi nëpër pusa po marrim ujë, qe një muaj pa ujë, gjynah edhe prej kafshëve që janë met pa ujë”, ka thënë Bytyçi.
Arsyeja e mungesës së ujit në këtë vend, është rezervuari i dëmtuar në këtë fshat.
Zëdhënësja e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, tregon se po merren me zgjidhjen e këtij problemi dhe se kanë hapur tender për këtë.
“Rezervari është dëmtuar mjaft në fshatin Shashkofc dhe ne ujësjellës jemi në përfundim të tenderimit, deri në riparimin ose ndërtimin e këtij rezervari ata do të kenë reduktime të ujit të pijes”, ka thënë Arjeta Mjeku nga Ujësjellësi “KUR Prishtina”.
Sipas Mjekut, data e saktë se kur këtij fshati mund t’i kthehet furnizimi me ujë në tërësi nuk dihet.

