Ministri i Punës dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka reaguar ndaj dëmtimit të kompleksit memorial në Podujevë.
“Dëmtimi i komplekseve memoriale të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës nuk është thjesht vandalizëm. Është sulm ndaj kujtesës sonë kolektive, ndaj historisë sonë dhe ndaj vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë.
Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti”, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga Institucionet e Drejtësisë.
Autorët duhet të identifikohen dhe të përballen me pasojat më të rënda që parasheh legjislacioni në fuqi.
Nuk mund të ketë as tolerancë e as heshtje për akte të tilla.
Respekti për dëshmorët dhe heronjtë nuk është çështje bindjeje politike. Është detyrim qytetar, moral dhe shtetëror.
Kosova nuk do të lejojë që historia e saj të përdhoset” shkruan Hoti në reagim.

