Bashkimi Evropian ka lëshuar një komunikatë në lidhje me takimin e mbajtur sot në Bruksel mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në lidhje me “dinarin”, takim i cili u cilësua si i dështuar.
BE ka thënë se nuk ka gatishmëri për të gjetur marrëveshje kompromisi për të ardhmen, derisa ka shtuar se takimi tjetër do të thirret kur palët të kenë gatishmëri.
“Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përkohshme dhe e qëndrueshme për njerëzit më të prekur nga Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operimet cash, Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë, ka mbajtur shtatë takime me delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë mes 28 shkurtit dhe 15 majit në Bruksel.
Gjatë këtyre takimeve, palët kanë paraqitur gjerësisht qëndrimet e tyre dhe kanë hulumtuar mundësitë për të gjetur bazën e përbashkët. BE-ja dha disa ide dhe propozime përgjatë procesit dhe palët arritën të kapërcejnë disa dallime në mënyrë që të sigurojnë flukse financiare nga Serbia në Kosovë, përfshirë marrëveshjen për themelimin e një entiteti të ri biznesor, sipas ligjeve të Kosovës, i ngarkuar me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia.
Megjithatë, pavarësisht se BE-ja paraqiti një propozim kompromisi që përshtati pozicionet e palëve në masën maksimale të mundshme, palët nuk ranë dakord për disa çështje kyçe, duke përfshirë shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë.
Takimi i fundit sot dëshmoi që palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi në çështjet e hapura. BE-ja shpreh keqardhje që sot nuk u arrit asnjë marrëveshje. BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur marrëveshje kompromisi për të ardhmen”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga BE.
Mungesa e një rruge të dakorduar përpara ka pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën dhe një burim i vazhdueshëm shqetësimesh.
BE-ja si lehtësues mbetet e gatshme të thërrasë një takim tjetër për këtë temë sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht.”