Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar mbrëmë shtëpia e ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, në fshatin Mushicë të Leposaviqit.
Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga rasti, ku sipas burimeve brenda Prokurorisë, persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda hapësirave të shtëpisë dhe kanë arritur që të vjedhin armë dhe municion në vlerë të mbi 400 eurove.
Burimet thonë se hajnat kanë marrë një pushkë ajrore, dy thika të gjuetisë dhe rreth 30 fishekë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin dhe kapjen e tyre.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Ndërkohë janë publikuar pamjet nga shtëpia e ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim, ku shihet se hajnat kanë demoluar hapësirat e brendshme në kërkim të gjërave me vlerë.





