Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi një person humbi jetën nga arma e zjarrit në bjeshkët e Komunës së Deçanit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit dhe njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore.
Sipas Prokurorisë, provat e siguruara dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë krijojnë dyshimin se viktima humbi jetën si pasojë e shkrepjes së armës nga pakujdesia. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa arma e dyshuar është sekuestruar dhe ekspertë të balistikës janë angazhuar për ekzaminimet e nevojshme.
Hetimet po vazhdojnë në koordinim mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Njoftimi i Sistemit Prokurorial:
Prokuroria Themelore në Pejë ndalon një person për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
Pejë, 23 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se, pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës se një person ka humbur jetën nga arma e zjarrit në bjeshkët e Komunës së Deçanit, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy (2) prokurorë të shtetit, përveç njësive relevante të Policisë së Kosovës.
Nga veprimet e ndërmarra në vendin e ngjarjes, sigurimi i provave materiale dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë, ekziston dyshimi se viktima ka humbur jetën si pasojë e pakujdesisë së të dyshuarit, përkatësisht nga shkrepja e armës së zjarrit.
I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekspertë të balistikës për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale është sekuestruar, ndërsa janë autorizuar edhe veprimet për intervistimin e dëshmitarëve okularë dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të tjera hetimore.
Prokurori i shtetit, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

