Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në Podujevë, ku një i ri dyshohet se ka kërcënuar babain e tij dhe ka dëmtuar shtëpinë, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 23 prill 2026 në rrugën “Xhafer Rrahman Mehmeti”, ku viktima Sh. L ka raportuar në Polici se djali i tij, D. L., rreth 20-vjeçar, në shenjë revolte për shkak të një mosmarrëveshjeje financiare, ka thyer xhamin e derës hyrëse të shtëpisë.
Sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari e ka kanosur seriozisht duke i thënë se “do ta kall shtëpinë”.
Rasti është trajtuar nga njësia për dhunë në familje në prezencë të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurores së Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij janë iniciuar veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.

