Telenews

Dorëhiqet kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi

Kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi, ka dhënë dorëheqje nga pjesëmarrja e tij në këtë bord.

Ky vendim i tij vjen në përfundim të mandatit të tij si kryesues, i cili sipas Statutit të SHSKUK-së, është 1-vjeçar. Sipas këtij statuti, Bardiqi ka mundur të vazhdojë mandatin e tij si anëtar edhe për dy vite të tjera.

Bardiqi njoftoi se tani pritet që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, t’i propozojë Qeverisë të deleguarin e tij dhe më pas të zgjidhet edhe kryesuesi i ri. Siç tha ai, ministri ka qenë i informuar që ai do të jetë pjesë e bordit vetëm për një vit.

Ai do të vazhdojë të mbajë postin e sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësues i së cilës ka qenë në këtë trup kolegjial.

Këtë detyrë, Bardiqi tha se e konsideron kënaqësi e privilegj dhe shprehu falenderimin e tij ndaj anëtarëve të tjerë.

Anëtarët po ashtu shprehën falënderimin e tyre për bashkëpunimin, ndërsa kritika pati nga Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë (FSSHK), Tevide Imeri.

Imeri tha se Bardiqi nuk ka trajtuar mirë sindikatat, duke mos i përfshirë në grupe punuese dhe marrje të vendimeve.

“Shyqyr që s’jeni të përhershëm, e ekziston cikli i ndërrimeve. Sa i përket sindikatës, e keni trajtu jo mirë. Po shpresoj që në të ardhmen edhe në cilësinë e sekretarit, e keni ndikimin mundeni me na ndihmu në ndërrim të qasjes”– tha ajo.

Naim Bardiqi nuk i konsideroi me vend kritikat. Ai tha se dokumentet që aprovohen, i nënshtrohen konsultave paraprake e publike. Sipas tij, kjo është “dritarja e hapur” për sindikatat.

“Ju nuk keni përgjegjësi në vendime të sekretarit, prandaj në vendimmarje nuk ju konsideroj dhe qëndroj mbrapa veprimeve të mia”– u shpreh më tej ai, duke kërkuar që nëse ka diçka që e konsideron të paligjshme ta adresojnë.

Bardiqi ishte zgjedhur kryesues i Bordit të SHSKUK-së më 03.05.2023, në mbledhjen e parë të këtij Bordi, që ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës më 26.04.2023./Kallxo.com

source

Të ngajshme

Ecja mund t’i kurojë dhimbjet e shpinës, sipas një studimi të ri

KushtrimGuraj

Storie e suksesit – Optika Moda një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë (VIDEO)

Donat Hashani

Mbi 5 milionë euro investime në Gjinekologji, Kurti: Ngjasojnë me ato të perëndimit