Telenews

Dueli me Kurtin për përfaqësimin e vendit, Osmani s’e vë në diskutim: Normale që ftesat janë për presidenten

Vjosa Osmani duket se e ka fituar ‘kontestin’ me Albin Kurtin për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare. Pas mosmarrëveshjes që e kishin pasur për këtë çështje, presidentja nga Washingtoni theksoi së fundmi se është ajo që udhëheq politikën e jashtme dhe se është “gjëja më normale” që ftesat po i vijnë asaj. Ajo në SHBA konsiderohet “garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe”. Diplomatët amerikanë kanë thënë publikisht se kanë “problem komunikimi” me kryeministrin.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk konsiderohen më një tandem. Mosmarrëveshjet ndërmjet tyre kanë një kronologji me fërkimet e para që kishin nisur për çështjen e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndryshme ndërkombëtare, siç ka marrë vesh Gazeta Express.

Osmani, e cila në SHBA konsiderohet “garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe”, të hënën shkoi në Washington D.C. me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili u mbajt në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake.

Përfaqësuesit e lartë të kryeqendrës amerikane kishin thënë se kanë “problem komunikimi” me Kurtin, i cili është akuzuar se s’i dëgjon këshillat e aleatit kryesor.

Nga Washington, ku shkoi një javë pasi me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier u koordinua për agjendën e saj ndërkombëtare, Osmani u pyet në një intervistë për Zërin e Amerikës për marrëdhëniet me SHBA-në.

“Zonja presidente ju e dini që vizita juaj këtu në Uashington është ndër të rrallat të zyrtarëve të lartë nga Kosova, për shkak të marrëdhënieve tejet problematike mes Kosovës dhe Uashingtont. Cili është mendimi juaj? A janë ato në pikën më të ulët sot?”.

Përgjigjen, Osmani e nisi duke e vënë theksin te një gjë: se pjesëmarrja e saj në ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare “është gjëja më normale”.

“Në Kushtetuën e Republikës së Kosovës institucioni i presidentit udhëheq politikën e jashtme. Pra është gjëja më normale që ftesat për në Uashington, për në Nju Jork, për në samitin e ‘Europian Political Community’, ku unë do të udhëtoj pas pak ditësh, në samitin EU Western Balkans, në samitin e Paqes për Ukrainën, ku isha, të jenë për presidenten sepse ky është zbatim i kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kështu ka qenë gjithnjë edhe me presidetët paraardhës, të cilët e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aspektin ndërkombëtar”, tha Osmani.”Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht”.

Ajo tha se Kosova nuk po injorohet në samite dhe se është e pranishme “qoftë në Washington, qoftë në samite të tjera dhe kudo që na jepet mundësia”.

Megjithatë, tha se nuk do të sillet kinse po i injoron problemet.

“Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht”.

Osmani tha se veprimet që i befasojnë partnerët, “pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetuën, në aspektin aftgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA”.

Ajo e ka takuar Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, me të mbërritur në Washington të hënën. Me të, tha se patën “diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”.

Kurti, ndërkaq, vizitën e tij të fundit jashtë vendit e pati në Izmir të Turqisë këtë fillimmuaj, ku qëndroi për disa ditë. I pati disa takime me liderë lokalë atje e pjesëtarë të mërgatës shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli.

Shkëndija e parë e prishjes së marrëdhënieve të tij me Osmanin daton në vitin 2022. Zyra e Kryeministrit njoftonte më 18 shkurt të atij viti se Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të udhëtonin atë ditë për në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Po atë ditë, Presidenca njoftonte më pas se Osmani kishte udhëtuar për në të njëjtin destinacion dhe me të njëjtin qëllim, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk përmendej presidentja dhe në njoftimin e Zyrës së Presidentes nuk përmendej kryeministri.

Osmani dhe Kurti kishin pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë më pas, siç ka marrë vesh Express. Kësaj radhe, shkak ishte bërë diçka tjetër: presidentja ishte ndjerë e përjashtuar nga një takim i kryeministrit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Në shtator të vitit të kaluar, Osmani kishte shkuar në New York, ku po mbahej sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Atje ishte takuar me Këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi kishin qenë temë themelore e diskutimit. Presidentja shprehej se roli i SHBA-së “është kyç për ta përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”. Ishte takuar edhe me Zëvendës këshilltarin për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jon Finer.

Me t’u kthyer në Prishtinë, Osmani do ta paraqiste idenë se Kosova duhej ta përgatiste së bashku me SHBA-në një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thoshte se marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve për të cilën Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin dakorduar në shkurt dhe mars 2023 “nuk është perfekte”, por se është obligim ndërkombëtar.

Të ngajshme

Dhurata Dora, këngëtarja e vetme shqiptare, që performon në mesin 200 yjeve botërore në Rumani

Erzana Fazliu

Inspektorati në aksion – punëtorët e ndërtimtarisë dhe gratë shtatzëna duke punuar përkundër vendimit të MSH-së

Erzana Fazliu

Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua 25 vjet më parë – jam pro Kosovës në OKB

Erzana Fazliu