Shqipëria luan sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të kualifikueseve për Euro 2024. Në Kishinjev përballë Moldavisë kuqezinjtë do të bëjnë gjithçka për të siguruar një biletë në Gjermani.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për emisionin “Klan Kuqezi” para sfidës u shpreh se ka besim se skuadra do ta sigurojë sonte kualifikimin, por theksoi se ndeshja ka për të qenë shumë e vështirë.
“Kemi goxha mbështetje, ka interes të jashtëzakonshëm jo vetëm këtu, por në çdo vend ku jetojnë shqiptarët janë përqendruar për këtë ndeshje. Uroj që skuadra t’i kënaqë sot dhe kam shumë besim që vërtetë do të hedhim hapin e sigurt, ose do të jemi sonte në Gjermani. Unë besoj shumë që ne sonte do ta sigurojmë biletën që në Euro 2024. Nuk do ta thoja kurrë nëse do mendoja që futbollistët kishin mundësi që ta dëgjonin intervistën time. Nuk e kam thënë kurrë më parë, nuk ua kam thënë futbollistëve, por kjo është ajo që ndjej. Tashmë çdo gjë është përgatitur. Deklaratat e mia nuk është se ndikojnë tek futbollistët për të qenë më shumë euforik. Kam parë që ata janë seriozë, të përqendruar maksimalisht, e kanë kuptuar peshën e ndeshjes. Unë nuk mendoj që kjo do të jetë një ndeshje e lehtë, por kam besim shumë që ne do të kualifikohemi sonte”, u shpreh ai.
Mbi 2 mijë shqiptarë kanë shkuar në Kishinjev për ta parë nga afër këtë sfidë. Sa i përket lojtarëve ai shprehet se janë të gjithë me këmbë në tokë dhe e kanë vlerësuar siç duhet Moldavinë.
“Padyshim që u kam kërkuar të gjithë bashkë se kjo është një ndeshje e vështirë. Nuk është ai kundërshtari i dy viteve më parë. Është skuadër e re, me talente. Unë uroj dhe jam i bindur që kemi injektuar atë baraspeshën e duhur që duhet për të patur një vlerësim të balancuar, vlerësim real, as për t’i mbivlerësuar, aspër t’i nënvlerësuar. Jam shumë i bindur që jemi skuadra më e mirë dhe skuadra më e mirë duhet ta fitojë ndeshjen”, u shpreh Duka. /Telenews.al/