Telenews

E rëndë: Shtatë gra u vranë në Kosovë nga janari deri në tetor – rastet që tronditën vendin –

Vrasjet që dyshohet se kanë ndodhur brenda familjes kanë shënuar disa nga ngjarjet më të rënda të këtij viti në Kosovë. Nga Restelica e Dragashit, ku një grua rreth 60-vjeçare dyshohet se u vra nga djali i saj, te Malisheva e Prizreni, ku humbën jetën gra në rrethana të dyshimta dhune, rastet kanë rikthyer vëmendjen te tragjeditë që ndodhin brenda mureve të shtëpisë.

Gazeta Sinjali ka raportuar për disa prej këtyre ngjarjeve, duke sjellë detaje nga vendngjarjet, identitetet e personave të përfshirë dhe zhvillimet e hetimeve.

Ndër rastet më të rënda janë edhe ngjarjet në Majac të Podujevës dhe Poterq të Epërm të Klinës, ku disa gra humbën jetën pas plagëve të marra.

JANAR – Restelicë, Dragash: Dyshohet se 30-vjeçari ia mori jetën nënës së tij

Më 21 janar 2026, një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, ku një grua rreth 60-vjeçare, me inicialet T.B., u gjet pa shenja jete brenda shtëpisë së saj.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, rasti ishte raportuar rreth orës 01:06, ndërsa si i dyshuar për vrasjen e saj u identifikua djali i viktimës, Ferzidin Boza, rreth 30-vjeçar, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes.

Rasti u iniciua si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

MARS – Majac, Podujevë: Dy gra humbën jetën pas të shtënave me armë zjarri

Më 23 mars 2026, një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Majac të Podujevës, ku Ilaz Brahimi, rreth 43–45 vjeç, u gjet pa shenja jete, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në mesin e të plagosurve ishin Ardita Gashi, rreth 30-vjeçare, dhe Miradije Gashi, 68-vjeçare. Sipas raportimeve të Sinjalit, të dyja gratë kishin pësuar lëndime të rënda, kryesisht në kokë, dhe më vonë ndërruan jetë.

Ardita Gashi dyshohej se kishte tentuar t’i merrte jetën vetes pas ngjarjes. Policia dhe njësitë relevante ndërmorën veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat dhe motivin e rastit.

GUSHT – Malishevë: Jetlira Foniqi Bytyqi, 25-vjeçare dhe shtatzënë, nuk u mbijetoi plagëve

Më 24 gusht 2026, një çift mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Malishevë. Si pasojë e plagëve, Jetlira Foniqi Bytyqi, 25-vjeçare dhe në javën e 34-t të shtatzënisë, ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas burimeve të Sinjalit, si i dyshuar në këtë rast u trajtua Egzon Bytyqi. Sinjali raportoi gjithashtu se arma që dyshohej se ishte përdorur i përkiste babait të tij.

Familjarët kishin deklaruar para autoriteteve se i dyshuari kishte pasur probleme të shëndetit mendor gjatë qëndrimit në Gjermani. Ky informacion ishte pjesë e deklarimeve të familjarëve dhe jo konstatim mjekësor i verifikuar.

GUSHT – Prizren: 80-vjeçarja u gjet e vdekur në shtëpi, u arrestua bashkëshorti

Vetëm dy ditë më vonë, më 26 gusht 2026, një tjetër ngjarje e rëndë u raportua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., u gjet e vdekur në shtëpinë e saj.

Për rastin u arrestua bashkëshorti i saj, Bardhi Dushi, 81-vjeçar, i cili u trajtua si i dyshuar. Ekzaminimet fillestare ngritën dyshime se lëndimet e viktimës mund të ishin shkaktuar nga dhuna fizike.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, çifti ndodhej vetëm në shtëpi në kohën kur dyshohej se kishte ndodhur ngjarja. Rasti u cilësua “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i viktimës u dërgua për obduksion. Motivi mbeti i panjohur.

TETOR – Poterq i Epërm, Klinë: Zoje Zeneli vdiq pas gati një muaji në trajtim mjekësor

Një tjetër rast mori zhvillim tragjik më 6 tetor 2026, kur Zoje Zeneli, nga Poterqi i Epërm i Klinës, ndërroi jetë pas afro një muaji trajtimi mjekësor në QKUK.

E moshuara ishte plagosur në incidentin e 6 shtatorit dhe po trajtohej në Repartin Intensiv të Klinikës Infektive. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, ajo nuk arriti t’u mbijetonte lëndimeve.

Në lidhje me rastin, si i dyshuar figuron Berat Zeneli, ndërsa viktimë tjetër e incidentit ishte edhe Ganimete Zeneli. Pas vdekjes së Zojes, rasti po trajtohet si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i saj u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.

TETOR – GJILAN: Nafije Bogujevci u vra sot nga të shtënat me armë zjarri

Një tjetër ngjarje e rëndë u shënua sot, më 9 tetor 2026, në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku Nafije Bogujevci dhe vëllai i saj, Egzon Bogujevci, humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri. Një tjetër person, Mazllum Bogujevci, mbeti i plagosur.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari Valon Ramushi u vetëdorëzua në Polici, ndërsa arma e zjarrit u sekuestrua. Rrethanat dhe motivi i ngjarjes po hetohen nga organet kompetente.

Të ngajshme

Valon Murseli vlerësohet si asambleisti me performancën më të lartë në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës

Rrezarta Ramaj

Presidentja Shiroka Pula takohet me komandantin e FSK-së, në fokus zhvillimet e sigurisë –

KushtrimGuraj

Detaje të reja rreth vrasjes në Gjilan/ Burri dyshohet se vrau gruan, mikun dhe plagosi tre të tjerë

Rrezarta Ramaj