Administratori kryesor i “BlackDB.CC”, që është tregu kriminal online, Liridon Masurica nga Gjilani, i njohur edhe si “@blackdb”, është ekstraduar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Masurica ngarkohet për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve, teksa Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory Kehoe, tha se mbi të rëndon një akuzë e komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes së paautorizuara.
“Masurica, shtetas dhe banor i Kosovës, u arrestua nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe u ekstradua më 9 maj në Shtetet e Bashkuara në përputhje me traktatin e ekstradimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”.
“Masurica bëri paraqitjen e tij të parë në gjykatën federale në Tampa më 12 maj 2025, përpara gjyqtares së Shteteve të Bashkuara, Lindsay Saxe Griffin, dhe u urdhërua të qëndrojë në paraburgim deri në fillimin e gjykimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të shteteve të Bashkuara për Distriktin e Floridës.
Tutje, në njoftim thuhet se Masurica ishte administrator kryesor i “BlackDB.cc”, treg online kriminal që funksiononte nga viti 2018 deri tash së fundi, ku ofronte për shitje në mënyrë të paligjshme kredenciale të kompromentuara të llogarive dhe serverëve, informacione të kartave të kreditit dhe të dhëna të tjera personale të njerëzve, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe ata që ndodhen brenda Distriktit të Floridës.
“Ky hetim u udhëhoq nga FBI në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimeve për Krimin Kibernetik të Policisë së Kosovës. Çështja do të ndiqet penalisht nga Ndihmës Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Carlton C. Gammons. Ndihmë e konsiderueshme u ofrua nga Zyra e FBI-së në Sofje, Bullgari dhe Zyra e Çështjeve Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë për të siguruar arrestimin dhe ekstradimin e Masuricës. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike e Policisë së Kosovës ofruan ndihmë të konsiderueshme në arrestimin e tij”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Nëse Masurica shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai do të përballet me një dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.