Përmes një postimi në faqen zyrtare, produksioni i serialit “Eşref Rüya” ka konfirmuar se seriali po shkon drejt fundit, duke njoftuar se kanë mbetur edhe tri episode deri në finalen e madhe.
Në njoftimin e titulluar “Vetëm edhe 3 episode deri në Finalen e Madhe”, produksioni bëri të ditur se historia që mbërtheu publikun para ekranit të Kanal D po përgatitet për mbylljen e saj përfundimtare.
Në deklaratën e publikuar, TİMSBİ Productions theksoi se “disa histori nuk bëhen të paharrueshme sepse zgjasin shumë, por sepse prekin zemrën”.
Sipas produksionit, seriali do të përfundojë në një mënyrë që i përshtatet “shpirtit” të tij, duke lënë pas personazhe që do të mbeten gjatë në kujtesën e shikuesve.
Produksioni ka shfrytëzuar këtë moment edhe për të falënderuar publikun dhe ekipin realizues për mbështetjen dhe përkushtimin gjatë gjithë rrugëtimit të serialit.
Një falënderim i veçantë i është dedikuar audiencës besnike që nuk e la vetëm serialin, si dhe të gjithë ekipit që punoi prapa kamerave për ta sjellë projektin në jetë.
Menjëherë pas postimit, rrjetet sociale u mbushën me reagime të fansave, të cilët shprehën keqardhje për përfundimin e serialit. Shumë prej tyre e konsideruan mbylljen si të parakohshme, duke vlerësuar se historia kishte ende potencial për t’u zhvilluar, sidomos në raport me personazhet kryesore.

