Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një zgjatje prej 45 ditësh të armëpushimit të brishtë, pas dy ditësh negociatash në Uashington, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Shpresojmë që këto diskutime të avancojnë paqen e qëndrueshme mes dy vendeve, njohjen e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit, si dhe vendosjen e sigurisë së vërtetë përgjatë kufirit të përbashkët”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Presidenti amerikan Donald Trump e kishte shpallur armëpushimin më 16 prill, por Izraeli dhe Hezbollah kanë vazhduar shkëmbimin e zjarrit edhe pas kësaj, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se sulmet ajrore izraelite kishin vrarë 22 persona, përfshirë tetë fëmijë, në jug të vendit.
Departamenti i Shtetit tha se në qershor do të “rikthejë rrugën politike të negociatave”.
“Përveç kësaj, më 29 maj në Pentagon do të nisë një linjë sigurie me delegacione ushtarake nga të dy vendet”, shtoi Pigott.

